Disa ditë pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa kufij” për lirinë e medias në Shqipëri, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike.
Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD Albana Vokshi deklaroi se media në Shqipëri është e censuruar si pasojë e presionit qeveritar.
Ajo akuzoi kryeministrin Rama për fyerje ndaj gazetarëve. Vokshi bëri me dije se është hartuar një projekt-rezolutë në mbrojtje të tyre, e cila sipas saj, do të garantojnë lirinë e shtypit dhe liri profesionale.
“Përshëndes qëndrimin e organizatës “Reporterët pa kufij” për lirinë e medias. “Reporterët pa kufij” tha të vërtetën e rëndë për gjendjen e medias në Shqipëri. Censurën, rritjen e armiqësisë, e nxitur kjo nga vetë kryeministri Rama. Raporti veçon sjelljen e kryeministrit me sulmet e vazhdueshëm ndaj gazetarëve duke i quajtur ata sharlatanë edhe injorantë. Raporti përforcon shqetësimet e ngritura edhe nga DASH ku u denoncuar kapje e medias për interesa të qeverisë. Edhe në progres-raportin e KE flitet për probleme me lirinë e shtypit. Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias kemi iniciuar hartimin e një projekt-rezolutë kundër gjuhës fyese të kryeministrit Rama ndaj gazetarëve. Miratimi në Parlament i kësaj rezolutë në mbrojtje të gazetarëve është shumë i rëndësishëm për të inkurajuar lirinë e shtypit dhe një liri profesionale që do të ndihmonte në luftimin e korrupsionit, të ushqyera nga vetë kryeministri përveç marrëveshjeve të fshehura dhe interesave klienteliste”, u shpreh deputetja e PD, Albana Vokshi./a.m.