TIRANË- Transporti i Specializuar i nxënësve, dokumentacioni i nevojshëm dhe sistemet e sigurisë së mjeteve që përdoren për këtë qëllim, ishin fokusi i kontrolleve të përqendruara nga efektivet e Policisë Rrugore në Tiranë.
Me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë, kryesisht për mjetet e transportit të specializuar, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë organizuar kontrolle të përqendruara në afërsi të shkollave publike dhe jo publike si dhe në disa rrugë urbane të kryeqytetit.
Kontrollet dhe verifikimet e Policisë Rrugore ndaj kësaj kategorie kishin si objekt sistemet e fiksimit, rripat e sigurisë për mjetet e transportit të Specializuar, dokumentacionin përkatës, kapacitetin mbartës si dhe kërkesat teknike që duhet të plotësojnë këto mjete transporti.
Nga verifikimet dhe kontrollet e ushtruara nga Policia Rrugore e Tiranës janë konstatuar dhe proceduar administrativisht:
• 15 drejtues mjetesh të transportit të specializuar (transport nxënësish) për mospërdorim të sistemeve të fiksimit dhe rripave të sigurisë.
• 10 drejtues motomjetesh për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.
• 23 automjete për parkim të gabuar.
Në funksion të kontrolleve janë testuar për alkool 65 drejtues mjetesh të transportit të specializuar të cilët kanë rezultuar negativ.
a.ç