Ish-deputeti i PD-së, Eduard Selami, e akuzon kreun e PD-së, Lulzim Basha, për rrëmbimin e partisë.
Në një bisedë në forumet e UET-it me shefen e Departamentit të Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, ish-deputeti demokrat e cilësoi Berishën një autokrat klasi, prej të cilit edhe u largua nga drejtimi i partisë.
Selami ka folur edhe për garën e brendshme në parti me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, kur ka deklaruar se në vend që manipulatorët e zgjedhjeve të dënoheshin, ata u promovuan.
Keni tentuar disa herë të riktheheni pasi jeni larguar. Fillimisht në ’97, më pas në 2005. Ndërkohë, nga SHBA keni bërë vazhdimisht kritikë dhe kur u rikthyet në Parlament në 2013 e në vijim heshtët. Herë keni qenë rebel dhe herë keni heshtur…Ju kandiduat edhe për kryetar të PD-së dhe kjo është një tjetër përpjekje proaktive e juaja…
Nuk mund të jesh një person publik aktiv për 30 vjet. Kam qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, ka qenë situatë jashtëzakonisht e vështirë të ishe mendjehapur atë kohë sepse Shqipëria mbeti në fund, e mbyllur brenda mbylljes. I vetmi model është Koreja e Veriut, që i përgjigjet sot. Pastaj filluam dalëngadalë të lëvizim, studentët ishin të parët. Kam qenë dhe unë pjesë e kësaj lëvizje, që dalëngadalë u krijua si forcë politike, aty filluan aksionet e mia politike si themelues i PD-së dhe Sekretar i Parë i Përgjithshëm i PD-së, ku kryetar i parë ishte Azemi, teknikisht dhe formalisht, pastaj u bë Saliu.
Në 5 vitet e para, Shqipëria ishte një histori e madhe suksesi dhe me standardet e Europës Lindore, gjërat filluan të lëvizin në ‘94 me referendumin që ne bëmë, ku Presidenti i kohës, pasi u zgjidh Sali Berisha nga kryetar partie, u largua sepse ishte një nen në Kushtetutë që nuk mund të jesh në pozicione të larta vendosi për të marrë më shumë seç duhet nga kompetencat e kësaj dhe këtu fillon ai akti im rebel, sepse aty e pashë që prirja dhe sirenat e pushtetit jo se nuk i kishte Sali Berisha, i kishte, por iu forcuan kaq shumë sa filloi të rrezikonte të gjithë varkën dhe në fakt e rrezikoi.
Kjo bëri dhe largimin tim, ishte prova ime e parë e forcës së karakterit se ajo që ti beson, është më e rëndësishme se ajo që ti ke aty. Jam i vetmi kryetar partie, që kam dalë dhe kam folur kur kam qenë kryetar partie dhe jo kur jam larguar. Pra, jam larguar duke dhënë një ide sepse po shikoja se PD dhe Shqipëria po rrëshqiste nga një histori suksesi e admirueshme dhe zoti Berisha nga Havel i Ballkanit, i projektuar dhe nga administrata amerikane, në një histori autokrate që kishte me dhjetëra. Nuk u shpëtua dot. Ajo solli në ’96 manipulimin e zgjedhjeve, pruri ’97 dhe rrëzoi Shqipërinë, duke e sjellë në pikën e parë të nisjes, edhe më keq akoma. Aty u nda pjesa ime politike. Kam qenë 29 vjeç kur e kam filluar këtë punë.
M’u duk sikur u shkëputa pak më shpejt nga dëshira ime e parë, ana akademike. Megjithëse isha i vetmi kryetar partie që jepja mësim në atë kohë. Nuk doja të bëhesha pjesë e kapitullit të dytë, që politika të konsiderohej si përfitim personal dhe jo si shërbim ndaj publikut dhe qytetarit. Kur ky kapitull u hap, kur kjo derë u hap, unë mendova jo të largohem, por të përpiqem t’i rrezikoj të gjitha. Kërkova Kushtetutën në Parlament, kërkova ngritjen e institucioneve, kërkova institucionalizimin e demokracisë, largimin e autoritarizmit ekstrem të zotit Berisha dhe në këtë betejë humba.
Me gjithë sukseset që ka pasur Shqipëria, nuk ka pasur modelin e një lideri bashkëkohor demokrat të vënies së interesit të publikut dhe të përgjithshëm përmbi egon dhe interesin e tij personal. Protagonizmi i gjatë në politikën shqiptare dhe emrat që janë kanë dëmtuar më shumë Shqipërinë.
Cili është raporti yt me PD në këtë moment pasi humbët përballë Bashës në garën për kryetar të PD?
Raportin tim me Partinë Demokratike nuk e shikoj në raportin e një anëtari të devotshëm, por e shikoj si një njeri me një ngarkesë historike kohore dhe me një kontribut që sapo dhashë për të qenë kryetar i saj dhe me një zhgënjim të thellë. Sepse edhe në atë rast, kur vërtet mundësitë ishin të vogla, por pas saj, të kapur me zë dhe figurë, një bisedë e bërë edhe me kryetarin, zotin Basha, duke vjedhur kutitë e votimit dhe nuk u fol asnjëherë. Këta persona sot mund të jenë të promovuar. Unë i thashë zotit Basha e di që mund të jenë edhe “fake”, por unë dua një sqarim për këtë. A kam unë të drejtë të kërkoj këtë gjë? Unë kam hyrë në një garë të shkurtër, të shpejtë, të jap një kontribut modest sepse, ja, nuk fitova. Unë nuk e kam bërë gjithçka për të fituar. Po të fitoja unë, fitimi i madh do të ishte i Partisë Demokratike. Gjithë ai kontribut që unë kam dhënë për PD-në dhe gjithë ai idealizëm që unë lë SHBA, të cilën e kam shumë përzemër, e cila nuk t’i jep këto oportunitete dhe vij këtu për të lënë diçka mbrapa. Kjo është një kënaqësi e rrallë. Është një fat i rrallë dhe nuk mund ta lë unë këtë. Ky është shqetësimi im.
A nuk është e gjithë hapësira, një shesh i madh ku diskutohet dhe analizohet Partia Demokratike dhe lidershipi i saj? Ku besoni ju se duhet ngritur zëri për PD?
Sheshi është i madh. Më kujtove ato sheshet ku luhet sport. Ai është me këpucë me çizme, unë jam zbathur. Ai vjedh…ka marrë ata, ka vjedhur. Unë dal dhe bëj idealistin dhe them që kjo është mënyra më e mire, hajde të diskutojmë. Atij ia kanë kapur dhe ai prapë nuk e dënon dhe ma promovon. Atëherë është zhgënjim. Ti je mbrapa kësaj gjëje. Ti nuk je lideri. Ti ke aftësi tejet të kufizuara politike. Ti je ai rrëmbyesi, që do ta mbash me çdo kusht. More një listë dhe e nxore nga xhepi siç i thashë unë, që është turp i tij. Listën nuk e dinte njeri kush do të jetë kandidat për deputet.
E nxori nga xhepi. Unë e mora vesh nga Amerika dhe prapë e mbështeta. Theu statute dhe të gjitha. Edhe Sali Berisha i bënte formalisht. Mos të pyesë njeri që unë e ngatërroj për demokrat Sali Berishën, është një autokrat klasi. Por kishte karizëm. Ky shkon edhe më tej. Ai të paktën ia kishte dhënë një kryesie përpara. E merrnin vesh të tjerët përpara, ky nuk ishte as origjinali. E mbylli këtë punë me turpin e vet. Po ja ku është rasti, ta merr një institucion i rëndësishëm europian, ta vendos zonjën Bregu aty ku e vuri, tani të gjithë pa vlerë ishin ata që u hoqën?
Po e heq veten time nga ky krahasim. Por po e lëmë rastin konkret, ku shkove? A humbe në mënyrën më spektakolare?! Çfarë i kërkuam? I thamë hajde të bëjmë një analizë. Jo tha, ta zgjedhim një herë, të mos shahemi dhe pastaj bëjmë analizë. Kanë kaluar 10 muaj, s’është mbledhur asnjë. Fatkeqësia është se kështu punojnë në demokraci. Ju duhet të punoni, t’i shikoni. Demokracia shqiptare ka mbetur në nivelin partiak. Kjo nuk është vetëm në Partinë Demokratike sepse ndodh në të gjitha partitë politike. “One man show”, varet se si kryetari zgjohet në mëngjes.
Nuk pyet as për strukturën dhe për askënd. Çfarë sjell kjo? Ngadalësim të strukturës dhe të suksesit të shqiptarëve. Sepse do të gabosh. Njerëz të mirë janë ata, por ai e di që po e ngrite ti zërin, ai të fshin nga faqja e dheut. Po çfarë klime u krijua? Është kjo klima e konkurrencës së shoqërisë të hapur? Unë e kam thënë edhe para tre vjetësh dhe i qëndroj asaj, që këtu kemi ngelur fatkeqësisht. Për mendimin tim, është krijuar një aleancë e re midis qytetarit të angazhuar, midis pedagogut të dedikuar, midis edhe një hidrauliku që punon me ndershmëri, pra, midis asaj pjese të shëndetshme të shoqërisë shqiptare, kjo edhe falë mbështetjes së ndërkombëtarëve. Por ky bashkim është vetëm një “by-pass”, nuk është autostrada.
Prandaj janë zgjedhur ata njerëz në Parlament, që të jenë promotorë të kësaj. Po ata çfarë bëjnë? Rrinë, zihen me njëri-tjetrin dhe e pengojnë. Këtë gjë po bëjnë edhe këta të mitë. I vetmi deputet që kanë atje, po tregojnë se ky është i mbytur nga droga. Jo, mo, jo, aty ishte droga. Edhe këta që kanë qenë përpara, po atë punë kanë bërë. Njësoj janë. Fatkeqësisht. Po t’i shikosh me sytë e kohës, duke notuar pa uniformë janë. Më e keqja për Shqipërinë është se ata janë bashkë për punët e këqija. Kundërshtari kryesor i tyre është Perëndimi. Rasti është Reforma në Drejtësi.
Për atë reformë, unë, me dëshirën time, e vura veten sërish në “stacion”. Ajo ishte ndihma që dha Perëndimi për atje ku duhet të shkojmë, sepse këta nuk e duan. Normalisht, pjesa dërrmuese e atyre që kemi lart dhe na drejtojnë duhet të jenë duke dhënë llogari në Gjykatë. Me shkelje serioze të ligjit. Me abuzime serioze të fondeve publike. Por e kanë prishur rregullin e lojës. Nuk ka pasur Gjykatë, sepse Gjykatë kanë qenë vetë. Por po vjen kjo ditë dhe do të vijë ajo ditë. Kështu kanë ecur shoqëritë. 241 vjet ka Amerika që filloi si shtet, si republikë.
Nuk është e përsosur, por ka këtë themel. Lanë punët e tyre Xhorxh Uashington, Xhon Adams, Tomas Xheferson etj. Ishin njerëz që lanë punët e tyre, dëmtuan veten financiarisht. Kush ka lënë punën nga këta tanët? Këta kanë ardhur pa asnjë lekë dhe janë bërë milionerë. Unë punoj ditë-natë në SHBA nga 16 orë dhe nuk u afrohem fare atyre. Dhe nuk japin llogari. Ne duhet t’i bëjmë ata që të punojnë për ne, të punojnë për Shqipërinë./Panorama/a.m.