Raportet ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë po përkeqësohen edhe më shumë. Pas djegies së flamurit kroat nga Sheshel, kanë qenë disa deklarata të ministrit serb të Punës, Aleksandër Vulin që nuk i kanë pëlqyer liderëve kroatë. Gjatë një ceremonie përkujtimore për viktimat në kampin Jasenovac, Vulin deklaroi se do të shkonte në Kroaci, ndërsa theksoi se nuk kishte pse pyete ministrat kroatë, por Vuçiçin.
“Sigurisht që këto ditë nuk do të shkoja në Jasenovac. Do të shkoja vetëm ku ka serbë, pasardhës të viktimave. Dhe ai që do të vendoste është komandanti suprem i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e jo ministrat kroatë”, kishte thënë dje Vulin, transmeton lajmi.net. Kjo deklaratë kaq direkte, ka shkaktuar reagim të ashpra në Kroaci.
Ministria e Jashtme e Kroacisë ka njoftuar mbrëmë vonë se deri në një vendim tjetër, Vulin është “persona non grata” (person i padëshiruar) në shtetin kroat. “Ka indicikacione se Vulini kur mbajti një përkujtim për viktimat e kampit në Jasenovac, kishte paralajmëruar një vizitë këtu. Ai është i njohur për një retorike të pahijshme, dhe deklarimet e tilla nuk kontribuojnë në raportet tona”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kroate.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Ai tha se deklaratat e tilla janë ofenduese, dhe nuk janë zgjidhje. “Kushdo që vjen këtu duhet ta respektojë shtetin kroat, dhe deklaratat ofenduese për momentin nuk janë zgjidhja më e mirë”, tha Plenkoviç. Në Kroaci u bë e ditur se të gjitha institucionet janë njoftuar që Vulinit t’i ndalohet hyrja. Edhe Kosova kohë më parë e kishte dëbuar për në Serbi këtë ministër. Kjo për shkak të retorikës nacionaliste që ai përdor. (Koha)