Rrëzimi që Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike u bëri propozimeve të kritikëve të Lulzim Bashës për kufizim të mandatit të kryetarit dhe dorëheqje në rast të humbjes së zgjedhjeve është konsideruar nga zërat kritikë si një thellim i mungesës së demokracisë në parti.
Ish-ministrja e Integrimit, Malinda Bregu, thotë se PD lindi si parti e fjalës së lirë dhe sot ka përfunduar në lincim kundër kujtdo që flet i lirë.
Ish-deputetja e PD ironizoi Bashën, duke thënë se për diçka mban vendin e parë. “Luli do të jetë lider i humbjeve”, tha ajo për CNA.al
“S’dua të përsëris veten me asgjë që kam thënë këto vite. E kam ditë që do të vijë kjo ditë dhe e kam thënë me dhjetëra herë. PD lindi si parti e fjalës së lirë dhe sot ka përfunduar në lincim kundër kujtdo që flet i lirë.
Lindi duke dëgjuar zërin e shqiptarëve e sot përfundoi duke mbytur zërin e arsyes brenda vetes! E kam kërku mbledhjen e këshillit kombëtar në shtator të 2015 pas humbjes që ishte më e madhe se Dibra vetë.
I ringriti hijenat e portaleve e tavolinave të intrigave për sulmin e radhës.
Të gjithë në politikë duan të jenë lider të fitoreve, Luli do të jetë lider i humbjeve! Urime! Këtu e ka fitu vendin e parë!”- është shprehur ish-ministrja Bregu.
Mëherët kritika pati edhe nga Topalli, Patozi dhe Imami.
Një të premte të zezë për selinë blu e konsideron edhe ish-nënkryetarja e kësaj force politike Jozefina Topalli mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Sipas saj, ndryshimet e bëra në statut e bënë Lulim Bashën, kryetar të përjetshëm.
Ndërsa Astrit Patozi thotë se edhe krahasimet e statutit të ri të Partisë Demokratike me ndryshimet në kushtetutën kineze nuk qëndrojnë. Sipas tij, “në Pekin i kanë dhënë mundësi për të qëndruar pa kufizim në pushtet fituesit, kurse në partinë e Lulit është shenjtëruar “fitorja” e përjetshme e humbësit”.
a.ç