Prokurorët e krimeve të rënda kanë neglizhuar hetimet përgjatë vitit 2017 për shkak të nisjes së zbatimit të reformës në drejtësi.
Këtë konstatim e ka bërë kreu i kësaj prokuroria Besim Hajdarmataj, ku në raportin e dorëzuar kryeprokurores Arta Marku ai shprehet se “Megjithëse e pajustifikuar tek secili prokuror dhe oficer i policisë gjyqësore, mund të them se janë evidentuar luhatje të angazhimit dhe vullnetit në punë si rezultat i ndryshime kushtetuese dhe ligjeve paketë të reformës në drejtësi, ku parashikohet dhe ndryshimi i funksionimit të Prokurorisë Për Krime të Rënda.
(Klikoni) për Raportin e Plotë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda
Më tej sipas Hajdarmatajt “pritja për implementimin përfundimtar ka ndikuar në lidhje me pasigurinë e përfshirjes në të ardhmen në struktura të prokurorëve dhe policisë gjyqësore, një ndikim i cili ka ulur vullnetin dhe efiçencën në shpejtësinë e hetimeve”.
Në raportin e siguruar nga ReportTv një tjetër arsye e zvarritjes së hetimeve dhe neglizhencës në kryerjen e këtyre hetimeve është edhe lëvizja e shpeshtë e oficerëve të policisë gjyqësore çka shpesh herë ka sjellë dhe pamundësi për zbardhjen e përgjimeve të cilat do të ndihmonin në luftën ndaj kriminalitetit.
Hajdarmataj bën përgjegjës edhe klasën politike për rezultatet e hetimeve, pasi sipas tij akuzat se të gjithë janë të korruptuar ka demotivuar prokurorët.
“Imazhi i përfolur gjatë gjithë kohës nga faktori politik, duke e cilësuar sistemin si të korruptuar dhe mosfunksional në tërësi ka dhënë efektet e veta negative në demotivimin në punë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”.
Prej disa muajsh Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë kompetencat e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, ndërsa deri në këto momente nga ky institucion asnjë prokuror nuk ka kaluar në sitën e Vettingut.