Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi dje në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arjan Çani se është në dijeni se nga kush e ka marrë të gjithë sulmin, për të cilin po përballet me drejtësinë.
Tahiri ka folur dje dhe për deklaratën e Edi Ramës, i cili tha se ish- ministri ishte rritur në hijen e tij.
Por për deputetin e përjashtuar nga PS-ja, Edi Rama nuk duhet ta përdorte këtë shprehje. Ai ka thënë se do të përfundojë betejën ligjore me Prokurorinë dhe më pas do merret me të gjithë kundërshtarët e tij. “Kjo përralla që një ministër i Brendshëm duhet të ketë patjetër dosje.. edhe mund të mos ekzistojë”, tha Tahiri
Nëse do sakrifikohej për të hyrë Shqipëria në Evropë Tahiri u përgjigj: Nuk e mendoj fare, por mund të më takoj mua që të përballem me gjykatën deri në fund.
Por ka dhe nga ata që sot janë shmangur gjithmonë të vërtetës dhe sot janë në politikë shumë të pushtetshëm. Nuk ka nevojë për dëshmorë por ka nevojë për të vërteta.
Por në fund Arian Çani bëri një intervistë pak më ndryshe ku Tahiri, pyetjet për persona konkret.
Çani pyeti Tahiri se Rama ka të drejtë kur thotë që…? Ndërkohë që Tahiri u përgjigj se fajin e ka sistemi, dhe jo njeriu.
Kur the shprehjen që s’ka bir nëne dhe bir kurve që të më pengojë, nuk e mbaje mend ti që është shprehje e Edi Ramës dhe ishte hit në atë kohë?
E kuptova më vonë që ishte pak a shumë e njëjta gjë, por nuk është e njëjta gjë fiks.
Thelbi është ai. Ai tha që s’ka bir kurve dhe bir nëne që të gjejë lekët e tij në xhepat e mi. Dhe the që s’ka bir nëne dhe bir kurve që do më pengojë mua në rrugën time drejt së vërtetës?
Në qoftë se do thosha nuk ka njeri të rrahur me vaj dhe me uthull që do më pengojë. Mbase do thoshe që ai i rrahuri me vaj dhe me uthull i bie të jetë o bir nëne ose bir kurve. Një nga të dy është prapë, ke shkuar tek ajo shprehje. Është harxhim kohe të merremi me këtë histori.
E dëgjove çfarë tha Edi Rama dje te Sokol Balla? Tha që më vjen për të qeshur kur shoh njerëz që janë rritur nën hijen time. Njerëz që i kam rritur unë është ideja, po ta bënte dikush tjetër do çuditesha tha!?
Unë besoj që edhe ajo është interpretuar disi jashtë kontekstit. Sigurisht unë kam punuar më të, s’e di, unë nuk do e përdorja si shprehje. Ai e përdori ok, është punë e tij që unë jam rritur nën hijen e tij, por që pa asnjë një dyshim që kam punuar me të dhe kemi bërë goxha gjëra të mira. Por të dy jemi rritur në të njëjtin diell.
Para 6 vjetëve kam përmendur emrin tënd kur ishe kryetari i PS-së së Tiranës, kam thënë se: “Në 100 vjet që shkuan Enver Hoxha do të mbahet mend se i bëri gropën shokëve. Po pas 100 vjetësh, do kujtohet njeri për besnikët e bindur të Edi Ramës? Prs. Qemal Stafën dhe këta.. Qemal Stafa është Saimir Tahiri. Thonë që historia përsëritet. Atëherë i bie që e ha Saimiri?
Qemal Stafa nuk e hëngri nga italianët apo e dimë historinë gabim?!
E hëngri nga Enver Hoxha! Ai e spiunoi, ti e di.
Po të paktën ai s’e dinte nga mund ta hante.. Unë të paktën e di..
Si ishte kjo edhe njëherë?
Qemali i shkretë nuk e dinte nga mund ta hante…
Ti thua e hëngri nga Enveri, unë i besoj versionit zyrtar të historisë. Por në të gjitha rastet s’e paska ditur, kurse unë të paktën e marr me mend.
Që do ta hash nga Rama?
S’e besoj…Dhe as nuk është e mundur.
Ti i përgatitur je në të gjitha rastet, që jeta është e padrejtë dhe mund ta hash nga Rama?
Jo s’ka lidhje kjo. Me duket banalitet që përballë meje të vendoset kush emër me një sfidë që unë e kam me të vërtetën time. Kjo historia që duhet gjetur diçka që Rama ta fut, Rama ia fut njerëzve. Saimirit po ia fut ai apo shantazhon këtë tjetrin, kjo më duket e tepërt për një botë kaq të vogël sa kjo e jona ku vështirë që ndodhin këto gjëra.
Saimir, ti e di që në politikë ka vetëm bërryla, intriga dhe futje mbrapa shpine?!
Kjo është tjetër gjë..
S’po them që do të ta fusë Rama personalisht, por njerëzit e tij më besnikë, të afërt, njerëz që të shohin si rival në parti. Njerëz që u bënë xhelozë që ç’është ky ministër kaq i suksesshëm që vuri rendin?!
Të gjitha këto janë pjesë e kësaj bote dhe kësaj rruge që unë e zgjodha bashkë me shumë kolegë të mi. Unë s’e përjashtoj këtë. Xhelozia dhe bërrylat po të duash janë pjesë e atij mjedisi si në çdo vend ndoshta, nuk bën politika përjashtim. Ajo që the, që të gjithë mundohen sikur e zbulojnë, nuk është normale dhe as e vërtetë t’i deformojmë perceptimin njerëzve që një Kryeministër mund t’ia fusë kujtdo. Herë duke e fut në burg, herë duke e nxjerr nga burgu, herë duke e mbrojtur dhe herë duke e shitur. Këto nuk ndodhin dhe nuk mund të ndodhin, të paktën për sa më përket mua dhe për marrëdhënien që kam pasur me Edi Ramën dhe me gjithë kolegët e mi. Nuk ndodh kjo. E tepërt të vazhdojë kjo histori.
Pas kaq kohësh Saimir, a je më i kthjellët dhe a mund ta dimë një portret kush ta futi kaq keq Saimir? Përveç gafës që ke bërë vetë që i shite makinën kusurit të atij tipit që u kap në Itali? Ta futën italianët se u doli rastësisht emri dhe dërguan një dosje këtu? Njerëz të opozitës kanë kapur dosjen në Sicili, kanë thënë ta plasim në media tani është momenti? Ta ka fut një njeri i afërt në partinë tënde që të shihte si rival dhe që sot është kryetari i një bashkie shumë të madhe në Shqipëri?Rama nuk është tipi që ta fut menjëherë, vonohet pak. Apo ta ka futur Ilir Meta, cili të ka pas halë në sy gjithmonë?
Unë besoj që edhe kur kam qenë ministër, jetën ma kanë bërë më të vështirë se sa të tjerët. Ndoshta dhe për shkak të mënyrës time. Ministrat e tjerë të Brendshëm kanë qenë shumë më komodë dhe s’janë sulmuar siç jam sulmuar unë. Saliu më ka thënë trafikant droge pa u bërë ministër..
Po ai ku e dinte? Hë pra…
Sigurisht unë jam tipi që i bie pak më shkurt gjërave, politika ndoshta do pak më shumë…
Do më shumë vazelinë?
Jo s’do e thosha, s’besoj. Por politika në Shqipëri do që ca njerëzve mos t’u thuash kurrë armiq se për fatin tonë të keq, qenkan gjithmonë të pushtetshëm. Unë s’e kam këtë model, preferoj që ata që s’më bindin si njerëz që mund realisht të bëjnë diçka të hajrit, nuk i quaj as për shokë. Është zgjedhja ime të jem më i drejtpërdrejtë pa këto llogaritë e gjata, që hajde s’ka problem se nesër mund të më duhet.
Do të thotë Saimir që je pak naiv në politikë?
Jo naiv jo. Por kështu e kam zgjedhur me vetëdijen time të plotë. Unë jetoj më mirë duke qenë i vërtetë sesa duke të të lëpi dorën ty se ti mund të më bësh keq. Këtë s’e bëj dot. Këtu ndodh që, kur ke mundësi të bësh keq, je më i rëndësishëm. Unë nuk i kam ruajtur këto marrëdhënie me vetëdijen time, qoftë me njerëz që quhen të fuqishëm në politikë apo me njerëz që quhen oligarkë në media apo oligarkë në ekonominë tonë. S’e kam menduar ta ndërtoja jetën time në raport me publikun bazuar te këta…
Mos më thuaj që nuk je kurioz kush ta ka futur Saimir?
Jo, jam kurioz dhe e mendoj që ka ca njerëz që kanë lubrifikuar mekanizma të caktuar. Po unë them që jam i qetë sepse dita ime kur do përballem me të gjithë do të vijë.
The që janë ca njerëz që kanë lubrifikuar mekanizmat. Por ti i di me emra këta njerëz. Ti je i qartë?
Unë e kam shumë të thjeshtë bastin tim. Unë jam përballë një çështjeje, për të cilën kërkohen sqarime nga Prokuroria. E unë do i shkoj deri në fund, kjo ka të bëjë me mua dhe me vërtetën time dhe mënyrën se si unë dua ta ndërtoj jetën time nesër.
Nuk është e varur nga ty… nuk ke shumë zgjedhje Saimir?!
Kjo për mua është prioritare, këto të tjerat kanë të bëjnë me ca gjëra që janë dytësore sot për sot. Por do të vijë një ditë që do përballem dhe me këta pa diskutim.
Kush janë këta njerëz Saimir?
Me këta të tjerët. Unë s’jam budalla apo jo. S’jam as naiv. E kam shumë më të thjeshtë dhe komode duke luftuar, jo duke ndenjur.
Ti thua që pasi të mbarojë pjesa juridike…?
Do kem kohë të merrem me gjithçka tjetër…
A do i bëje disa muaj burg me qejf, nëse me ty do ishte dhe arrestimi i Adriatik Llallës, ndoshta BE i hap portat për Shqipërinë në qershor. Do e sakrifikoje vetën për Shqipërinë? Ky është kurbani?!
Duket shumë egoiste të them Jo. Nuk do ishte e shëndoshë për kurrkënd të ndodhte kjo…
A e ke gati mesazhin e tretë të koduar për piktorin, pra Ramën, nëse s’e ha presionin me të dytin?
Unë s’e bëj, por as ai s’i ha.
Çfarë dosje u ke përgatitur kundërshtarëve të tu për t’u hakmarrë?
Kundërshtarët e mi kanë aq kusure sa s’kanë nevojë për dosje. Kjo përralla që një ministër i Brendshëm duhet të ketë patjetër dosje.. edhe mund të mos ekzistojë.