Grupi separatist bask, ETA, ka kërkuar falje për viktimat e dhunës dhe sulmeve terroriste të kryera prej saj në më shumë se 6 dekada përpjekje për të krijuar një shtet të pavarur në territoret e Francës jugperëndimore dhe veriun e Spanjës.
ETA njoftoi këtë javë se do të shpërbëhet si grup deri në fillim të majit të këtij viti. Rreth 800 persona janë vrarë nga ky grup, i cili përgjatë viteve ka kërkuar lirinë dhe themelimin e shtetit bask. Konflikti zyrtarisht përfundoi në vitin 2011.
“Si pasojë e gabimeve dhe vendimeve të padrejta, ETA ka shkaktuar viktima që nuk ishin të përfshirë direkt në konflikt”, bëri të ditur sot kjo organizatë në një deklaratë të publikuar në gazetën baske “Gara”.
“ETA njeh përgjegjësinë dhe e merr përsipër atë”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se gjatë fushatës së dhunshme dhe të armatosur 40-vjeçare, është shkaktuar dhimbje dhe dëme të pakthyeshme. (TemA TV) (b.an)