Gati dy dekada pas luftës politikanët e Kosovës ende pretendojnë të kenë informata inkriminuese për akte potencialisht penale të rivalëve politikë.
Akuzat dhe kundërakuzat përmenden dhe aktualizohen varësisht nga klima politike dhe nga nevojat elektorale apo populliste.
Së fundi pati një përleshje verbale për milionat e luftës. Publiku është i dërrmuar me këtë lojë që popullorçe njihet si «cic-mic».
Ata që thonë se i kanë letrat, t’i hapin, në mënyrë që të gjithë të shohim se çka fshihet prapa tyre, dhe që përfundimisht ta mbyllim këtë lojë me një bixhoz me letra hapur.
Nga Armend Bekaj/
Para disa vitesh, ndërsa po bëja një hulumtim për luftën në Kosovë, m’u dha rasti të intervistoja një numër të larmishëm akterësh të viteve ’90, të cilët në shumicën e rasteve vazhdojnë të kenë pozita kyçe udhëheqëse në politikë.
Intervistova njerëz të luftës, ushtarë të thjeshtë por edhe vendim-marrës, përfaqësues të ilegales e ish-të burgosur politikë, si dhe aktivistë të lëvizjes paqësore.
Ajo çfarë në përgjithësi pret nga intervista të tilla është që kujtimet për ngjarjet e rezistencës (paqësore dhe të armatosur) të puqen bile në disa pika kyçe, pa marrë parasysh se cilit krah politik i takon i intervistuari.
Për shembull, supozon se do të duhej të kishte konsensus të vetëkuptueshëm për rolin e LDK-së në ato vite, për atë të UÇK-së po ashtu, për Rambujenë, për fondet e luftës.
Natyrisht se mund të ketë mospajtime mbi atë se si u zhvilluan politikat, ta zëmë kundruall fondeve të mërgatës për Kosovë, por nuk do të duhej të kishte mospërputhje totale të ngjarjeve të historisë sonë ende të freskët.
Përkundrazi, përvoja personale më dëshmoi se evokimi i ngjarjeve të viteve ’90 nga bashkëbisedues të ndryshëm shpesh jepte një pasqyrë krejt të shfytyruar të asaj që kishte ndodhur (apo nuk kishte ndodhur!)
Varësisht se me kë bisedohej, rezultonte se UÇK-ja ishte financuar kryesisht nga Tre Përqindëshi i qeverisë në ekzil, apo se nuk kishte marrë as edhe një fening të vetëm nga po kjo qeveri.
Nuk bëhej fjalë, pra, për interpretime me nuanca të ndryshme varësisht nga ajo se me kë bisedoje, por me narracion diametralisht të kundërt me njëri-tjetrin.
Shumë shpejt intervistat u shndërruan në sprovë të mundimshme të zbulimit të së vërtetës, mision ky që rezultoi i pamundur për mua, por që si duket vazhdon të jetë po aq i pamundur për të gjithë ne si shoqëri. Dikush këtu gënjen jo pak por krejtësisht. Pse?
Këtë të martë Kuvendi u bë përsëri arenë e akuzave e kundërakuzave për milionat që përfaqësues të UÇK-së kinse i kanë marrë nga qeveria e asaj kohe.
E dimë tashmë çfarë ndodhë në të tilla raste: siç edhe u pa, pohimet mohohen kategorikisht nga ata përfaqësues, të cilët pastaj vjellin vrer mbi anëtarë të LDK-së për shpifje, rrena e oportunizëm politik.
Bëhet thirrje në ligj, në organe të hetuesisë, dorëheqje, moral. Derisa jam duke shkruar këta rreshta, siç edhe pritej, dalin persona të tjerë që mbështesin akuzën fillestare, apo që i japin zjarr kundërakuzës për shpifje.
Dhe vjen një moment kur e tërë storja zhytet sërish në harresë, për t’u zëvendësuar nga skandali atraktiv i radhës.
Personalisht nuk e di se cila është e vërteta e plotë, por ajo nuk ka fare rëndësi. Çka është me rëndësi, fatkeqësisht, është se ne si shoqëri vazhdojmë të torturohemi nga këto narracione skizofrenike të historisë sonë të vonshme.
Siç është parë shumë e shumë herë në dy dekadat e fundit, trendi i këtyre «sekreteve publike» shkon pak a shumë kështu: vjen një moment kur për shkak të politikës ditore (kemi zgjedhje, ose përkujtohet një datë e shënuar) apo për arsye të larjes së hesapeve personale, përmendet, për shembull, se filan përfaqësuesi ka pranuar shuma të majme parash.
Ky pohim pastaj mohohet si fabrikim dhe filani tjetër akuzohet për shpifje e manipulim. Pastaj involvohen edhe disa persona që mbajnë anën e njërit apo tjetrit, dhe pas ca ditësh e tërë shfaqja mbaron.
Ajo që gjithmonë më është dukur më së shumti shokuese në episode të tilla, është se si individë të caktuar (kryesisht politikanë) pretendojnë të kenë informata inkriminuese për akte potencialisht penale kundër rivalëve politikë, informata të cilat vendosin t’i përdorin vetëm në momente të caktuara kohore.
Jo rrallëherë kemi dëgjuar për raste kur dikush del e pretendon të ketë fakte se një rival i caktuar politik ka gisht në vrasje, në abuzim fondesh, apo krime tjera që datojnë rreth dy dekada më parë.
Për më shumë, pretendohet se ai këto informata t’i ketë pasur qëmoti dhe se ndoshta do t’i bëj publike kur të vijë koha.
Është e pabesueshme dhe absurde të thuhet se dikush posedon informata të tilla dhe se do t’i bëjë publike ato vetëm kur t’i teket atij.
Ky seleksionim i zbulimit të informatave potencialisht inkriminuese dhe me pasoja penale është i pakuptueshëm, i pafalshëm dhe tallje me viktimat e familjarët e viktimave të krimeve të tilla, si dhe ofendim për të gjithë ne si shoqëri.
Mirëpo, fatkeqësisht, ne tashmë kemi krijuar një traditë të mbrapshtë të përsëritjes së thashethemeve të skandaleve më seksi, si të ishin ato top lista këngësh pop.
Sipas kësaj tradite krimet e supozuara (abuzimi me fondet, vrasjet, asgjësimet, revanshet politike) fliten e përfliten në hapësirat e tymosura të kafeneve, në shoqëri e familje, por ato rrallë arrijnë të bëhen subjekt trajtimesh serioze nga organet e hetuesisë.
Me fjalë të tjera, institucionet, organet formale ekzistojnë në një botë, kurse thashethemet e skandaleve në një botë tjetër.
Dhe këta protagonistë, kryesisht politikanë, që pretendojnë të kenë gjithë këto informata, kujdesen më së shumti që këto thashetheme të mbesin në këtë botë të mjegullt të thashethemeve dhe të pashqyrtuara nga institucionet përkatëse.
Në Kuvend, të martën, u përmend edhe një kërcënim i radhës: se po të vazhdohet kështu, me akuza, do t’i çelim letrat.
Kjo thënie, në vetvete, është skandaloze, për arsye se tregon që individë të caktuar me shumë pushtet në këto dy dekadat e fundit posedojnë njohuri të brendshme për ngjarjet që kanë afektuar secilin nga ne si pjesë të kësaj shoqërie.
Por ata vazhdojnë t’i mbajnë këto informata për vete, dhe i përmendin vetëm atëherë kur të kenë nevojë t’i kërcënojnë rivalët me publikimin e tyre.
Por një gjë është e sigurt: publiku është i dërrmuar me këtë lojë që popullorçe njihet si «cic-mic».
Do të ishte mirë të veprohej ashtu si u përmend në Kuvend: ata që thonë se i kanë letrat, t’i hapin, siç u sugjerua, në mënyrë që të gjithë të shohim se çka fshihet prapa tyre, dhe që përfundimisht ta mbyllim këtë lojë me një bixhoz me letra hapur.