Qeveria shqiptare ka siguruar financimin për përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, gjatë raportimit të punës në këtë 6 mujor përpara grupit parlamentar socialist tha se ekzekutivi ka marrë hua 14 milionë dollarë për përfundimin e autostradës brenda këtij viti.
“Në 4 vjet përfundojmë të gjitha rrugët e nisura. Rrugët sot janë të lëna rrugëve. Rrugët në veri do përfundojnë të gjitha. Dje na erdhi konfirmimi për financimin shtesë për pjesën e mbetur të autostradës Tiranë-Elbasan, janë 14 milionë dollarë për përfundimin e rrugës nga zona e Ibës te tuneli. Brenda këtij viti edhe ai aks do përfundojë plotësisht dhe ajo rrugë do jetë funksionale dhe do jetë në shërbim të qytetarëve të Korçës, Librazhdit dhe të gjithë asaj zone që lidhen përmes këtij segmenti”, tha Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Një tjetër lajm i mirë i Gjiknurit ishte edhe ai për Rrugën e Arbrit, punimet për të cilën sipas tij, nisin pas një muaji. “Është siguruar financimi nga kontraktori dhe brenda një muaji nis hapja e kantierit për Rrugën e Arbrit”. Edhe kryeqyteti do përfitojë nga projekti 1 miliard dollarë i qeverisë për rindërtim. Dy segmente të tjera të Unazës nisin nga puna këtë vit.
“Do përfundojë edhe loti II dhe III i Unazës së Madhe, nga TEG-u e deri në Kinostudio do përfundojë. Do fillojë puna për pjesën nga Shkolla Industriale të Sheshi Shqiponja, do përfundojë edhe ky segment brenda katër viteve. DO shpallet gara për ndërtimin e aksit Kardhiq-Delvinë, kjo do përfundojë që udhëtimi për në Sarandë të shkurtohet me një orë, ku përfshihet edhe një tunel në atë zonë. Brenda këtij viti do fillojë puna për këtë kantier”, nenvizoi Gjiknuri.
Segmente të tjera rrugore të cilat do nisin këtë vit dhe që pritet të përfundojnë brenda katër viteve janë ato Kashar-Thumanë, Milot-Balldre, ndërtimi i urave në Rrugën e Kombit dhe përfundimi i kësaj autostrade që lidh Shqipërinë me Kosovën, Qukës-Qafë Plloçë për të cilën nevojiten edhe 50 milionë euro të tjera financim si dhe dy bypass-et, ai i Fierit dhe Vlorës.
ma.me