Qeveritë perëndimore kanë vite që u ofrojnë mbrojtje firmave ekzistuese, duke dëmtuar kështu jo vetëm të rinjtë që duan të futen në lojë, por edhe rritjen e prodhimit në përgjithësi.
Tashmë që Kina e ka kuptuar shpejt vlerën e një tregu të lirë e me konkurrencë, Perëndimi duhet të ndryshojë udhë menjëherë, ose rrezikon të mbetet pas.
Që nga shekulli i 19-të e deri në të 20-in, vendet perëndimore kanë thënë se rritja ekonomike ka ardhur falë zbulimeve të shkencëtarëve dhe eksploratorëve. Një vend mjaftonte të kishte zellin e duhur për të zhvilluar mundësitë tregtare dhe për të ngritur infrastrukturën që duhej për t’iu përgjigjur kërkesës për produkte të reja.
Deri kohët e fundit, kinezët kanë besuar të njëjtën gjë. Por tani, biznesmenët dhe sipërmarrësit nga Kina po shfaqin jo vetëm vullnetin për t’u përshtatur me mundësitë e reja, por edhe një dëshirë për të krijuar kapacitetet që të rinovohen vetë, në vend që të kopjojnë të tjerët.
Gjithnjë e më shumë kompani kineze e kanë kuptuar që duhet inovacion, pa të përparojnë apo edhe të qëndrojnë në tregun botëror. Shumë prej tyre, sidomos Alibaba, Baidu dhe Tencent, kanë bërë zbulime të reja duke ofruar infrastrukturë të epokës dixhitale që lehtëson veprimtarinë inovative. Shumë firma industriale kanë nisur të vënë në përdorim robotikën dhe inteligjencën artificiale.
Qeveria kineze i ka mbështetur bizneset e vendit të saj për krijimin e kapaciteteve që mund të çojnë në prodhimin e inovacioneve vendase. Sigurisht që e kuptojnë se inovacionet teknologjike vendase janë edhe më të vlefshme, kur inovacioni në perëndim është duke ecur me hapa të dobët e ku rritje a Faktorit Total të Prodhimtarisë (FTP) ka vazhduar të ngadalësohet.
Qeveria e Kinës ka prezantuar nisma të reja kohët e fundit, me qëllimin për të rritur inovacionin dhe sipërmarrjen. Ka shkurtuar në mënyrë dramatike procedurat për hapjen e një biznesi. Ka ndërtuar një numër të madh shkollash profesionale ku fëmijët kinezë mund të mësojnë për botën me të cilën do të përballen. Dhe kohët e fundit kanë lehtësuar hyrjen e ekspertëve të huaj, që të punojnë me projekte të reja në sektorin e biznesit.
Autoritetet kanë njohur edhe rëndësinë e lejimit të konkurrencës. Individët duhet të ndihen të lirë për të hapur kompani të reja dhe kompanitë ekzistuese duhet të ndihen të lira që të zgjerohen në industri të reja. Konkurrenca zgjidh shumë probleme, një koncept që sa vjen e dobësohet në Perëndim.
Te Forumi i Përvitshëm i Ekonomisë ne Davos të Zvicrës, zyrtarët kinezë diskutuan reformat bazë që kishte ndërmarrë qeveria e tyre dy vite më parë për të rritur konkurrencën. Politikat e reja bëjnë që kur kapacitetet të kenë tepricë, oferta lejohet të kontraktojë firma të tjera dhe të dalë nga tregu. Sigurisht, kërkesa e tepërt tregon që oferta duhet të lejohet të rritet, duke mundësuar futjen në lojë të firmave të reja.
Thelbi është që kur sipërmarrjet mbrohen nga kompanitë e reja që futen në treg me ide të reja, si rezultat do të ketë më pak inovacion dhe më pak përshtatje me botën e re që po ndryshon, siç e quan Friedrich Hayek.
Mund të sillet një tjetër argument. Në çdo ekonomi moderne, çdo industri vepron përballë një të ardhmeje të paparashikueshme. Sa më shumë kompani të jenë duke menduar për të njëjtin problem, aq më të mëdha janë gjasat që të gjejnë zgjidhje. Një kompani që është mbajtur jashtë një industrie mund të dijë diçka që nuk e dinë të gjitha kompanitë bashkë që janë pjesë e asaj industrie. Ose një përvojë e veçantë e një individi mund të krijojë njohuri personale që më pas t’u përçohet gjithë të tjerëve. Sidoqoftë, kur ata që janë jashtë lihen të lirë për të shtuar diçka, shoqëria fiton me uljen e çmimeve, krijimin e vendeve të punës, me shërbime më të mira, etj.
Kjo dihej nga teoricienët e mëdhenj të viteve 1920 dhe 1930: Hayek, Frank Knight dhe John Keynes. Tani e dinë edhe kinezët, të cilët e kanë kuptuar se një vend përfiton kur kompanitë lihen të lira për të konkurruar.
Perëndimi duket se e ka harruar. Shumica e qeverive perëndimore, që nga vitet 1930, e kanë parë si detyrim që t’i mbrojnë nga konkurrenca sipërmarrjet ekzistente, edhe kur vijnë firma të reja me risi dhe përshtatje ndaj modernes. Këto mbrojtje, që sillen në forma të ndryshme, kanë shkurajuar shumë sipërmarrës që të mos ofrohen me inovacione.
Historia është plot me dëshmi që tregojnë vlerën e konkurrencës. Në Britaninë e pas-luftës, në vitet 1970, industritë kontrolloheshin nga klube ekskluzive brenda Konfederatës së Industrisë Britanike, të cilat nuk lejonin hyrjen e të rinjve. Kur Margaret Theçer u bë kryeministre në vitin 1979, TFP kishte mbetur në vendnumëro. Por Theçeri i ndaloi praktika anti-konkurrencë të konfederatave dhe TFP e Britanisë nisi të rritet sërish në mes të viteve 1980.
Tani po shohim diçka të ngjashme në Kinë. Në vitin 2016, rritja e TFP në Kinë ishte ngadalësuar, por ka nisur të rritet sërish falë reformave të viteve të fundit.
Perëndimi duhet t’i adresohet uljes së TFP, që ka nisur që në vitet 1960. Ndalimi i mbrojtjes së të vjetërve nga të rinjtë që vijnë me ide të reja është një nisje e mirë.(Tch)