Mandati i kreut të Partisë Demokratike dhe mënyra e zgjedhjes së tij do të mbetet i pandryshuar. Pavarë- sisht diskutimeve në mbledhjen maratonë të kryesisë së PD-së, statuti i PD për kreun e kësaj force politike do të mbetet i pandryshuar. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura thanë për “Panorama”, se anëtarja e Kryesisë, Endira Bushati, ka insistuar që kreu i PD-së, Lulzim Basha, të konfirmojë qëndrimet e mbajtura prej tij disa vite më parë në lidhje me mandatin e kreut të partisë.
“Edhe për shkak të profesionit, jam dakord që edhe çështjet statusore janë të rëndësishme dhe duhen diskutuar. Por unë besoj se nuk është vetëm çështje statusore humbja që ne kemi marrë, ndaj duhet të flasim seriozisht dhe të mos bëhemi qesharakë, duke u marrë me seksionin dhe grupseksionin. Në “Top Story”, në nëntor të vitit 2016, dhe në 26-vjetorin e PD-së gjithashtu, keni deklaruar se PD-në do t’ia çojmë anëtarësisë dhe unë do të propozoj që kryetari i PD të ketë mandat dyvjeçar.
Unë dua të pyes kryetar, nëse i qëndron kësaj ideje? A jua ka pranuar grupi i punës këtë ide?”, mësohet të jetë shprehur anëtarja e Kryesisë, Endira Bushati, gjatë mbledhjes.
Ndërkohë që kreu i PD-së Lulzim Basha ka kujtuar se kjo nuk ishte një çështje që ishte në diskutimin e mbledhjes së kryesisë së PD. “Zonja Bushati, jeni jashtë teme me këto që thoni. Ju nuk jeni gazetare që të më merrni në pyetje. Çdo propozim konkret që keni edhe për këtë çështje të statutit, ju ftoj ta paraqisni pranë grupit të punës”, ka deklaruar Basha.
PROPOZIMET
Pavarësisht se Kryesia ka miratuar me shumicë votash të gjithë propozimet e grupit të punës për ndryshimet statusore do të ketë ende hapësira për të marrë propozime të tjera. Ditën e martë, grupi i punës do t’i paraqesë anëtarëve të kryesisë një draft me të gjitha propozimet për ndryshimet në statut.
Propozimet e tjera që individë apo flukse brenda PDsë do të kenë për ndryshime në statutin e PD do të paraqiten në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që do të zhvillohet në 20 prill.
Një nga çështjet e shumë debatuara në mbledhjen e Kryesisë ishte vendosja e kritereve për kryetarët e degëve në statut dhe jo në udhëzimet e lëshuara nga kryetari i partisë. Kjo pikë është kërkuar që të jetë e sanksionuar gjithmonë në statut.
Gjithashtu, në mbledhjen me dyer të mbyllura ka pasur debate edhe lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të degëve.
Një pjesë e anëtarëve të Kryesisë kanë kërkuar që në mbështetje të propozimeve të ardhura edhe nga baza e partisë kryetarët të zgjidhen përmes parimit një anëtar një votë. Ndërkohë që një pjesë e anëtarëve kanë kërkuar që zgjedhja e anëtarëve të degëve të zgjidhet me Kuvend. (Panorama)