Gjermania, e cila nuk ka marrë pjesë në sulmin e aleatëve të SHBA, Britanisë dhe Francës në Siri, ka reaguar me anë të kancelares Angela Merkel.
Kjo e fundit tha se Gjermania mbështet sulmet, ndërsa ka akuzuar Rusinë se nuk ka lejuar të kryhen hetimet për sulmet me armë kimike në Siri.
“Rusia ka penguar një hetim të pavarur të asaj që ndodhi me armët kimike, përmes bllokadës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Duke pasur parasysh këtë, aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe francezë kryen sulme ajrore kundër objekteve ushtarake të regjimit sirian.
Kjo qasje synon të kufizojë aftësinë e regjimit për të përdorur armë kimike dhe për të parandaluar atë nga shkelje të mëtejshme të Konventës për Armët Kimike.
Ne mbështesim që aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe francezë, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë marrë përgjegjësinë në këtë mënyrë.
Operacioni ushtarak ishte i nevojshëm dhe i përshtatshëm për të ruajtur efektivitetin e ndalimit ndërkombëtar për përdorimin e armëve kimike dhe për të paralajmëruar regjimin sirian për shkelje të mëtejshme”, tha Merkel./a.m.