Pas sulmit në Siri, ku Franca iu bashkua aleatëve të saj SHBA-ve dhe Britanisë, vjen reagimi nga Ministri i Jahstëm francez, Jean-Yves Le Drian. Përmes një deklarate për mediat ministri tha se sulmet ishin “të ligjshme”, “proporcionale” dhe “të precizuara”.
Ndërkohë ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly tha se një flotë e marinës franceze në Mesdhe dhe avionë luftarakë nga bazat në Francë ishin ato që vunë në shënjestër qendrën kryesore kërkimore të armëve kimike në Siri, shkruan Reuters.
Mes të tjerash Florence Parly pohoi se Franca nuk do donte konfrontim dhe përshkallëzim të situatës, duke shtuar se Rusia ishte paralajmëruar për sulmin.
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shumica e raketave të hedhura në Siri nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Franca u interceptuan nga sistemet siriane të mbrojtjes ajrore.
Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore nuk ishin përfshirë në aksion kundër sulmit. Avionët luftarakë dhe anijet e SHBA dhe aleatëve të saj nisën mbi 100 raketa të lundrimit dhe raketa ajrore në objektet civile dhe ushtarake siriane, tha ministria.
Ato u hodhën nga dy anije amerikane të stacionuara në Detin e Kuq, me mbështetje ajrore taktike nga aeroplanët e Mesdheut dhe Rockwell B-1 Lancer nga koalicioni në provincën Homs të Sirisë, sipas deklaratës.
Aeroporti Ushtarak Sirian Al-Dumayr, i vendosur 40 km në veri-lindje nga Damasku, u sulmua nga 12 raketat e lundrimit, konfirmoi Rusia, duke shtuar se të gjitha raketat u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore siriane.
Për të sprapsur sulmin, Damasku shpërndau sistemet raketore të sipërfaqeve ajrore duke përfshirë S-125, S-200, 2K12 Kub.
Paralajmërimi erdhi nga ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov, pas sulmeve të udhëhequra nga amerikanët së bashku me britanikët dhe francezët kundër objektivave të regjimit. “Shtetet e Bashkuara, vendi me arsenalin më të madh të armëve kimike, nuk kanë të drejtën morale për të akuzuar vendet e tjera”, tha ai.
Pas tij, paralajmeron ashper edhe Teherani: “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk kanë dëshmi të sulmit kimik në Siri dhe janë përgjegjës për pasojat rajonale që do të ndjekin sulmin e vendosur pa pritur që inspektorët e OPAC të marrin një pozicion”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Bahram Ghasemi, cituar nga disa media amerikane./a.m.