Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i quajtur ndryshe komisioni për hapjen e dosjeve, ka hartuar raportin e parë të veprimtarisë për vitin 2017. Në raport, Autoriteti ka bërë një bilanc të punës për identifikimin dhe më pas grumbullimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ndër të tjera, Autoriteti ka identifikuar 264 dosje për politikanë dhe ish-zyrtarë shqiptarë, bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Këto dosje janë krijuar nga veprimi dhe zbatimi i ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Bëhet fjalë për ligjin, në bazë të cilit u ngrit dhe funksionoi komisioni “Mezini” dhe pas tij komisioni ‘Bezhani’.
Komisioni ‘Mezini’ pengoi kandidimin e disa figurave të opozitës së atëhershme, vendime këto që u cilësuan politike e ranë vite më vonë, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre fituan pafajësinë dhe i rikthyen në politikë. Më pas komisioni “Bezhani” tentoi pastrimin e politikës shqiptare nga ish-spiunët, por edhe ky komisionin u bllokua më vonë po nga politika. Nga zbatimi i këtij ligji, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit thotë se ka identifikuar dhe administruar 264 dosje.
Ndërkaq, sipas raportit, Autoriteti ka identifikuar 6724 dosje dhe fashikuj nga fondi i të arratisurve, nga fondi i të huajve 12392 dosje dhe fashikuj si dhe 10733 dosje për bashkëpunëtorët. Janë identifikuar gjithashtu 459 dosje agjenturore, 842 regjistra të ndryshëm (agjenture përpunimi) si dhe 1 174 fashikuj të ndryshëm për vizitorët, turistët, të dënuarit dhe specialistët e huaj.
Dosjet e SHISH
Fondi arkivor i ish-Sigurimit të Shtetit që ishte në administrim të Shërbimit Informativ Shtetëror është identifikuar dhe ka kaluar nën administrimin e komisionit për hapjen e dosjeve.
Në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të cilat kanë kaluar në administrim të Autoritetit përfshihen dosje bashkëpunëtorësh, dosje përpunimi (2A, 2B), dosje drejtimi, dosje zbulim autori dhe dosje kërkimi, dosje objekt i rëndësisë së veçantë, fashikuj të ndryshëm me emra, dosje agjenturore, dosje me probleme të centralizuar dhe dosje të tjera operative, regjistra të ndryshëm, procesverbale, lista veçimi, statistika, kartela, evidenca, libra, studime, tema, përgjithësime, novela, informacione, analiza, plane, akte normative, kompjuterët me te dhënat e dokumenteve të ish- sigurimit të shtetit, si dhe fondi i mikrofilmimit.
Dorëzimi i dosjeve të administruar nga SHISH është bërë nga personi përgjegjës, qe ushtron detyrën për ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve të këtij fondi, në arkivin e Shërbimit Informativ të Shtetit në prezence të eprorit të drejtpërdrejtë dhe procesverbalet e marrjes në dorëzim janë përfunduar.
Problematika dhe vështirësi
Në vitin e parë të punës Autoriteti është përballur me vështirësitë dhe problematikat të ndryshme.
“Gjendja e dokumentacionit arkivor jo i gjithë i inventarizuar dhe i përpunuar, që sjell vonesa në marrjen në dorëzim dhënien e përgjigjeve. Dekodifikimi i disa prej dosjeve të bashkëpunëtoreve, vështirësohet për shkak të mungesës fizike të dosjeve dhe të mungesës së personelit për të zhvilluar metoda dhe mjete të tjera kërkimi.
Verifikimi i plotë i gjithë procesverbaleve të asgjësimit dhe pajtueshmëria e këtyre akteve me ligjin e kohës dhe mirë administrimin e vlerave dokumentare, në përputhje me rregulloret dhe evidencat në mënyrë që të dokumentohet çfarë ka ndodhur me ato për të shmangur përgjegjësitë e institucionit tonë.
Pamundësia e gjetjes së dokumentacionit mbi fatin e personave të zhdukur apo të pushkatuarve me ose pa gjyq, që nuk u dihen vendvarrimet (25 kërkesa), kur ka një interes të shtuar te publiku, partnerëve dhe faktorit ndërkombëtar, duke gjetur vetëm në një rast procesverbalin e ekzekutimit”,thuhet në raport.
Kërkesat për verifikim
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, për vitin 2017, ka zhvilluar procedurat ligjore për 46 kërkesa, të paraqitura nga institucionet kushtetuese apo autoritetet publike, për verifikimin e figurës së kandidatëve/zyrtarëve, për t´u emëruar ose ngritur në detyrë, kur kjo është kërkuar në kuadër të vlerësimit, të cilësive etike, morale dhe profesionale të tyre, sipas legjislacionit përkatës.
Po gjatë vitit 2017, Drejtoria e Informacionit ka zhvilluar procedurat ligjore për rreth 280 kërkesa individuale, të paraqitura nga subjekte individë në cilësinë e personave të prekur dhe palëve të treta, në cilësinë e të afërmeve të të vdekurve dhe të zhdukurve, në cilësinë e bashkëpunëtorëve apo të favorizuarve të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Mbi bazën e kërkesës së kërkuesit (shprehur në procesverbalin e dorëzimit të dokumentacionit rast pas rasti) është bërë e mundur vënia në dispozicion dhe dhënia e dokumentacionit përkatës kërkuesit (duke marrë kopje apo dublikatë të dokumentacionit që ndodhet në këto dosje), sipas objektit të kërkesës së tyre, gjithnjë, pasi ishte kryer më parë procesi i anonimizimit”, thuhet në raport.
Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të identifikuara
Fondi i zbulimit
Ish-Drejtoria e II 5206 dosje dhe fashikuj
Fondi i veçantë 2 740 dosje dhe fashikuj
Fondi i Kosovës 11 489 dosje dhe fashikuj
Fondi i të arratisurve 6 724 dosje dhe fashikuj
Fondi i emigrantëve ekonomikë 4 752 dosje dhe fashikuj
Fondi i të huajve 12 392 dosje dhe fashikuj
Mikrofilma 453 dosje dhe fashikuj
Fondi kundërzbulimit ish-degët e Punëve të Brendshme
Dosje RSI (bashkëpunëtorë) 10 733
Dosje përpunimi (2A/2B) 11 987
Dosje drejtimi (disa volume) 907
Dosje kërkimi dhe zbulim autori 778
Dosje objekt i rëndësisë së veçantë 533
Fashikuj të ndryshëm (vizitor, turist, të dënuar, specialistë të huaj 1 174
Dosje agjenturore 459
Regjistra të ndryshëm (agjenture përpunimi) 842
Dosje me probleme të centralizuara 526
Procesverbale, lista veçimi, statistika, evidenca 4 480
Njësi të tjera ruajtje (libra, tema etj.) 2 000
Kartela 215 790
Fondi i arkivues së Sistemit të Ministrisë së Brendshme
Fondi i dosjeve administrative (Drejtori I, II, III dhe ish-Degët e Punëve të Brendshme në Rrethe) 90 345 dosje.
Fondi i dosjeve hetimore, gjyqësore 14 000 dosje
Fondi i dosjeve të personelit të ish MPB, 15 000 dosje
Fondi i dosjeve operative, 12 470 dosje
Fondi i krijuar nga funksionimi i ligjit Nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik, 264 dosje
Fondi i dosjeve të rrjetit sekret (dosje pune dhe personale), 1 642 dosje
Fondi i dosjeve të përpunimit 158 dosje
Bobina 492
Katalogë alfabetikë 113
Kartelat model 21 000
Kartela me të dhënat nga dosjet hetimore-gjyqësore 14 700/Shqiptarja/a.m.