Nga Armand Plaka
Marrë nën shqyrtim në disa studime me autorë të huaj e shqiptarë, përfaqësimi diplomatik i Gjermanisë në Shqipërinë e Paraluftës dhe gjatë saj (1932-1944), ka arritur të sjellë bashkëngjitur, edhe imazhin e selisë së Legatës, apo Konsullatës, pasi ajo e ndërroi shpesh emërtimin dhe madje edhe vendndodhjen e saj në Tiranë.
Sidoqoftë, gjërat tashmë janë qartësuar plotësisht dhe dihet se ajo që sot njohim si “Vila e Mehdi Frashërit”, në një nga rrugët mes RTSH-së dhe Ambasadës së SHBA, ka shërbyer në funksion të plotë gjatë viteve të Luftës së Dytë, deri më 17 tetor 1944, si seli diplomatike e Rajhut të Tretë në Shqipëri.
Në dekadat që pasuan pas Luftës, për shumë vite ajo shërbeu si seli e Ambasadës së ish-RDGJ-së. Sidoqoftë, në fotot e sjella në këto materiale, haset vetëm pamja e mjegullt e asaj vile në bardhezi, apo e pamjes që ajo ka sot ( me ngjyra), duke vlerësuar se pas rikonstruksionit që i është bërë asaj pas rënies së monizmit, ka arritur fatmirësisht të ruajë tërësisht formën dhe strukturën.
Tabela me mbishkrimin “Deutsche Gesandschaft”
Megjithatë, aty nuk arrihet të përftohet dot ideja nëse është marrë në vitet 1943-’44, kur Shqipëria ishte e pushtuar prej gjermanëve, apo i takon viteve të mëparshme, të Zogut apo të pushtimit italian. Pra, më së shumti ka qenë një foto ilustruese pa datë të saktë, e as pajisur me ndonjë shenjë e tabelë të veçantë, të cilat do t’a bënin atë të cilësohej si “autentike”.
Nisur nga kjo, fotoja që po botoj në këtë artikull shoqërues, është e para që mbart në hyrje të saj tabelën “Deutsche Gesandschaft”, çka në shqip do të thotë: Legata, apo “Misioni Diplomatik Gjerman”, dhe është realizuar përkrah një seti shumë interesant fotosh të tjera të Tiranës, nga fotografi gjerman, Georg Fruhstorfer në qershor të vitit 1944, pikërisht në kulmin e prezencës gjermane në Shqipëri.
Ai ishte angazhuar në atë kohë dukshëm në shërbim të Wehrmacht-it, e puna e kishte sjellë këtë radhë në Shqipëri. Sheh në to kryesisht motive të jetës së përditshme, të Pazarit të vjetër në Tiranë, ku përkrah civilëve e një teologu mysliman (hoxhe), gjenden duke blerë edhe dy ushtarë të Wehrmacht-it, të cilët duket se kanë dalë me liridalje në qytet, por edhe pamje të Bulevardit të madh të Tiranës, të Hotel Dajtit, të qendrës së qytetit dhe të Bankës Kombëtare.
Gjithçka në bardhezi, por në një cilësi vërtetë mbresëlënëse. Ato i takojnë një koleksioni, i cili duket se “i ka rrëshkitur” pa dokumentuar e pa rënë në sy shumë studiuesve, përfshirë këtu edhe të ndjerin Robert Elsie. Fondi i plotë në fakt përmban edhe pamje nga Shkodra dhe Vlora, të cilat nuk janë përfshirë në këtë material.
Kush ishte Georg Fruhstorfer?
Georg Fruhstorfer ( 1915-2003) bëri emër në qarqet mediatike e artistike gjermane të Pasluftës, me botimin e momenteve pikante nga rindërtimi i Gjermanisë, por ndërsa arsimimin e kryer e kishte në pedagogji, ai njihej si gazetar e pas disa kurseve profesionale, edhe si fotoreporter.
Pas Lufte u zhvendos në Mynih, ku motivet e tij të preferuara ishin pikërisht ndërtesat e shkatërruara të Luftës dhe rindërtimi, por edhe refugjatët, furnizmi me ushqime e mbijetesa e popullatës gjermane në Perëndim.
Fotot e tij gjenden nën shumë pseudonime (si për shembull: H. W. Storge),ngaqë ai fillimisht nuk u lejua nga administrata ushtarake amerikane që kishte nën zotërim zonën dmth. Landin e Bavarisë, të zotëronte liçensën për ushtrimin e aktivitetit, duke pasur parasysh të shkuarën e tij shumë afër propagandës naziste.
Vetëm në vitet 2005 e 2006, Arkiva Shtetërore e Landit të Bavarisë dhe arkivat federale gjermane, arritën të bëjë të tyren fondin prej mbi 12.000 negativësh dhe materialesh të printuara, ku një pjesë e tyre janë pikërisht edhe fotot që po botoj në këtë artikull./a.ç