Teksa ka kërkuar falje serish para Kongresit për shkak se nuk ka bërë aq sa duhet për të ndaluar keqpërdorimin e rrjeteve sociale, Zuckerberg ka theksuar se: “Facebook do i shkojë deri në fund asaj çfarë bëri Cambridge Analytica”, kur të dhënat personale të 80 milion njerëzve u përdorën për të devijuar fushaten elektorale amerikane në 2016.
“Prioriteti im ka qenë misioni ynë social për të lidhur njerëzit, ndërtimin e komuniteteve dhe afrimin e botës më pranë. Reklamuesit kurrë nuk do të kenë përparësi për sa kohë që unë do të drejtoj Facebook”, u shpreh Zuckerberg.
Zuckerberg i filloi komentet përballë një komisioni të senatit amerikan duke marrë mbi vete përgjegjësinë që nuk mundi të parandalojë skandalin me firmën Cambridge Analytica, të lidhur me fushatën presidenciale të kandidatit Donald Trump, e cila mori nga Facebook-u të dhëna personale të 87 milion përdoruesve me synimin për të ndikuar tek zgjedhjet.
Zuckerberg u kishte kërkuar falje shumë herë përdoruesve dhe publikut, por kjo ishte hera e parë në karrierën e tij që ai dëshmon përpara Kongresit.
Të mërkurën ai do të dëshmojë përpara një komisioni të ngjashëm të Dhomës së Përfaqësuesve.
Në seancat dëgjimore, Zuckerberg jo vetëm po përpiqet të rivendosë besimin e publikut te kompania e tij, por edhe të shmangë forcimin e rregullave federale ndaj Facebook-ut, për të cilat po flasin disa ligjvënës.
Në deklaratën e hapjes përpara senatorëve, ai gjithashtu kërkoi falje për lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes, mungesën e privatësisë së të dhënave dhe ndërhyrjen e mediave ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
“Ne nuk e pamë me një vështrim të gjerë përgjegjësinë tonë, dhe ky ishte një gabim i madh”, tha ai. “Ishte gabimi im dhe kërkoj falje. Unë e themelova Facebook-un, e drejtoj atë dhe jam përgjegjës për atë që ndodh këtu.”
Ndërkaq, kompania ka filluar të njoftojë përdoruesit, të dhënat e të cilëve janë marrë nga Cambridge Analytica. Në një njoftim që u shfaq në Facebook për disa përdorues të martën, ata paralajmëroheshin se “një nga miqtë tuaj” e ka përdorur Facebook-un për të hyrë në një aplikacion tashmë të ndaluar, të quajtur “Kjo është jeta juaj dixhitale”. Në njoftim thuhej se aplikacioni ka keqpërdorur informacionin tuaj, duke përfshirë profilet publike, pëlqimet e faqes, ditëlindjet dhe qytetet aktuale, duke e ndarë atë me Cambridge Analytica.
Pasi u rezistoi kërkesave të mëparshme për të dëshmuar, Zuckerberg pranoi të vinte në Kongres këtë muaj, kur u konfirmua se Cambridge Analytica kishte mbledhur të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut. Zuckerberg tha se kompania e tij ka përgjegjësi për të siguruar se ajo që ndodhi me Cambridge Analytica nuk do të ndodhë përsëri.
Zuckerberg pritet të pyetet gjithashtu për përdorimin nga Rusia të mediave sociale të SHBA gjatë zgjedhjeve të 2016-ës, subjekt ky i disa hetimeve që po zhvillohen në kongres dhe i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes ruse.
Në deklaratën e tij të hapjes, Zuckerberg foli për ndërhyrjen ruse dhe pranoi, siç ka bërë edhe në të kaluarën, se kompania u tregua shumë e ngadaltë për t’u kundërpërgjigjur dhe se “po punon me shpejtësi që të përmirësohet”. Kompania ka thënë se deri në 146 milion njerëz mund të kenë marrë informacion nga një agjensi ruse që është akuzuar për orkestrimin e shumicës së ndërhyrjeve kibernetike në zgjedhjet amerikane.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë për të kuptuar shkallën e plotë të ndërhyrjes ruse dhe do të bëjmë punën tonë jo vetëm për të siguruar integritetin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në mbarë botën, por edhe për t’u dhënë të gjithëve një zë dhe që të jemi një forcë e së mirës në demokracitë kudo në botë”, tha Zuckerberg.
Themeluesi i “Facebook”, do të vijojë t’u përgjigjet pyetjeve para kongresit amerikan në lidhje me “rrjedhjen” e të dhënave të përdoruesve.
Në qendër të debatit është qasja tek të dhënat personale të përdoruesve dhe llogarive të miqve të tyre në Facebook nga aplikacionet e palëve të treta. Faqja i dha kompanisë Cambridge Analytica informacione rreth bindjeve politike dhe fetare, ngjarjeve të ndjekura dhe postimeve të pëlqyera nga miliona përdorues të Facebook-ut.