Nga Erjola Azizolli/
Më 9 shkurt 2006, Shpëtim Marra u gjet i vrarë në divan, me telekomandën e televizorit në dorë dhe me disa plumba në trup. Në shtëpinë e tyre në Kozarë të Beratit, policia gjeti të pajetë edhe të birin 2 vjeçar dhe bashkëshorten e Shpëtimit, e cila ishte në muajin e katërt të shtatzanisë. 12 vjet nga krimi makabër që u njoh gjerësisht si masakra e Kozarës, drejtësia ka dhënë një mori vendimesh, por nuk ka mundur të japë një përgjigje përfundimtare për autorësinë.
Vëllai i viktimës, Luan Marra, i cili është edhe i dyshuari i vetëm i masakrës, u dënua për herë të tretë në fillim të Marsit me burgim të përjetshëm. Në vendimin e Gjykatës së Beratit, të cilën BIRN e disponon, Marra u shpall fajtor për vrasjen e të vëllait dhe familjarëve të tij si dhe për veprën e mbajtjes dhe përdorimit të armëve pa leje.
Por avokati mbrojtës i të dënuarit, Alban Bregasi i tha BIRN se Gjykata e Shkallës së Parë në Berat i është referuar sërish provave, që sipas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë marrë në mënyrë të paligjshme.
“Presim vendimin dhe arsyetimin e Gjykatës, por çështja do të shkojë sërish në Gjykatë Kushtetuese,” tha avokati i Luan Marrës. Ai paralajmëroi gjithashtu një apelim të mundshëm në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg për klientin e tij.
Edhe familja Marra, e cila e gjeti veten njëkohësisht viktimë dhe të dyshuar menjëherë pas ngjarjes së shkurtit 2006 i bën jehonë pafajësisë së 42-vjeçarit.
“Kjo gjykatë është e korruptuar, pasi Luani nuk është autori i vrajes së vëllait dhe familjes së tij”, thotë Ilir Marra, vëllai i viktimës dhe të dënuarit.
Prokuroria e Beratit nuk pranoi të komentojë pretendimet e avokatit të Luan Marrës apo mundësinë e një kalvari të ri me këtë çështje deri në Gjykatën Kushtetuese. Por përgjatë gjithë proceseve gjyqësore, Prokuroria ka mbrojtur qëndrimin se Marra është autori i masakrës së Kozarës.
Proceset gjyqësore kundër Luan Marrës kanë pasur në qendër një dëshmi pendimi të tij të datës 30 tetor 2006, përmes së cilës i akuzuari pranoi autorësinë dhe inkriminoi veten. Por Gjykata Kushtetuese e riktheu procesin nga e para në vitin 2011, me argumentin se dëshmia e pendimit ishte marrë “në mënyrë të paligjshme dhe në mungesë të një avokati”.
Në gjykimin e dytë, Gjykata e Beratit dhe ajo e Apelit hoqën dorë nga procesverbali i marrjes në pyetje, në të cilin Luan Marra pranonte krimin, por që u shpall “absolutisht i pavlefshëm” nga Kushtetuesja. Ndërkohë, duke gjetur si hapësirë proceduriale kërkesën e avokatit për ta përfshirë dëshminë si provë të dhunës, prokuroria dhe gjykata e përdorën atë sërish për të kundërshtuar dëshminë e re të të të pandehurit në gjykatë. Për të dytën herë në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e gjeti këtë në shkelje me kushtetutën.
“Deklarimet që kërkuesi ka bërë duke inkriminuar veten pa praninë e mbrojtësit nuk mund të shfrytëzohen kundër tij,” theksohet në vendimin e Kushtetueses, e cila e riktheu çështjen sërish në Gjykatën e Faktit në Berat.
Por 12 vjet pas ngjarjes, hetimet nuk duket se kanë zbuluar ndonjë fakt të ri. Vendimi i tretë i Gjykatës së Beratit, të cilin BIRN e disponon, bazohet sërish në të njëjtat dëshmi dhe hetime ku ishin mbështetur edhe gjykimet e mëparshme.
Megjithatë, ndryshe nga dy vendimet e para, gjykata këtë herë nuk e ka bazuar dënimin në dëshminë e 30 Tetorit 2006, por duke u mbështetur tërthorazi në dëshminë mohuese që Luan Marra i dha prokurorit në prani të avokatit një ditë më vonë, më 31 Tetor 2006.
Sipas gjykatës, Luan Marra në mohimin që u bën akuzave ka riprodhuar të njëjtën dëshmi të cilën sipas gjykatës, ai pretendon se nuk kishte lexuar dhe se ishte shkruar “nga oficeri i policisë gjyqësore” ndërsa ai thjesht e kishte firmosur.
“Është objektivisht e pamundur që faktet e deklaruara lidhur me dinamikën e ngjarjes të kenë qenë më parë të njohura prej tij, nëse nuk do kishte dijeni personalisht për to,” thotë trupi gjykues në arsyetim të vendimit.
Sipas vendimit të gjykatës i dënuari nuk mund të ishte në dijeni të detajeve të vrasjes, pasi nuk ishte lejuar të hynte në shtëpinë e viktimës ditën kur trupat u gjetën, por ai i ka riprodhuar para prokurorit detajet kur mohonte pendimin e tij.
Gjykata po ashtu gjen fajësues për Marrën një përgjim të një bisede mes vëllait tjetër, Ilirit dhe bashkëshortes së tij. Nga përgjimi del se bashkëshortët kishin dijeni për konfliktin mes vëllezërve dhe se për këtë arsye, Ilir Marra i kërkon të shoqes të mos flasë duke dyshuar se përgjoheshin. “Boll llafose se dëgjojnë”, thuhet në përgjim, ku po ashtu lihet të kuptohet se çifti di diçka më shumë. Para gjykatës, të dy bashkëshortët kanë refuzuar të shpjegojnë këtë bisedë, duke e bërë atë edhe më dyshuese për gjykatën.
Po ashtu, gjykata në arsyetim argumenton se janë rrëzuar edhe pretendimet e mbrojtjes se ndaj të dënuarit është përdorur dhunë. Duke iu referuar një ekspertize mjeko-ligjore, ajo i vendos shenjat e dhunës ndaj të dënuarit në një kohë disa orë më vonë nga koha e dhënies së dëshmisë.
Njëkohësisht, duke përdorur dëshminë e avokatit mbrojtës të caktuar kryesisht në tetor 2006, gjykata thotë se ka rrëzuar edhe pretendimin e Marrës se pendimi i ishte marë pa praninë e një mbrojtësi.
Avokati i Luan Marrës, Alban Brengasi i tha BIRN se vendimi i fundit është thuajse identik me vendimet e mëparshme, ndërsa paralajmëroi se çështja do të shkonte sërish në Gjykatën Kushtetuese.
“Vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit të Beratit nuk është gjë tjetër veçse një anarki e plotë brenda sistemit gjyqësor shqiptar”, tha Bengasi.
“Është e treta herë që një gjykatë rrethi dënon një të akuzuar me të njëjtin vendim që duket se është një kopje e dy vendimeve të para, me një dosje që i paraqitet gjykatës me të njëjtat prova po shtuar asgjë dhe mbi të gjitha nuk merren parasysh fare vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka shfuqizuar vendimet e tre shkallëve, pasi ndaj të akuzuarit është zhvilluar një proçes i parregullt gjyqësor”, përfundoi ai.
ma.me