Milazim Krasniqi/
“Në njërën anë shungullon nga deti/Në tjetrën ulërin nga mali.” Me këto dy vargje fillon poezia “Monedha e Gentit” (1985), nga e cila më vonë lindi edhe drama me të njëjtin titull e me të njëjtën ide, atë të dilemës që mund të jetë edhe fatale, kur duhet të zgjedhësh ndërmjet dy rreziqeve. Sigurisht që nuk është e zakonshme që një analizë raportesh ndërmjet kombesh e shtetesh të fillohet me projeksione poetike, por kur gjërat janë të ngatërruara, ia vlen të tentohet që të ftohet në ndihmë të përkohshme edhe abstraksioni poetik. Kështu do të bëj kësaj radhe. Në poezinë “Monedha e Gentit” (1985) e kam fiksuar dilemën e paraardhësve tanë ilirë ndërmjet dy fuqive të mëdha të kohës, Maqedonisë dhe Romës.
Sundimtarit ilir, Gentit, iu desh të bënte zgjedhje ndërmjet atyre dy fuqive të armiqësuara, gjë që ai e bëri, por zgjedhja që e bëri ai u tregua fatale, pasi me atë zgjedhje ai u bë mbreti i fundit i Ilirisë dhe Iliria u fundos në një zhbërje fatale. Zgjedhja që duhej të bënte Genti më duket edhe sot si zgjedhje ndërmjet peshkaqenit dhe luanit, pra të bëhesh me luanin, me rrezikun që të të gëlltis peshkaqeni, apo të bëhesh me peshkaqenin, me rrezikun që të të gllabërojë luani. Ne nuk do ta dimë kurrë se çka do të prodhonte zgjidhja tjetër, aleanca me Romën kundër Maqedonisë, (ose asnjanësia), por e dimë që aleanca me Maqedoninë kundër Romës doli fatale. Prej asaj kohe në hapësirat ilire-shqiptare janë ndërruar shumë pushtues, tashmë janë formuar dy shtete me shqiptarë, por dilemat dhe rreziqet nga aleancat dhe nga armiqësitë kanë mbetur pezull deri në kohën tonë.
NATO faktikisht është në Kosovë, por Kosova nuk është në NATO
Mbase për herë të parë dilema ka marrë një përgjigje më të qartë, ndonëse ende jo të plotë, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky anëtarësim i Shqipërisë në aleancën veriatlantike, e cila siguron mbrojtje kolektive për shtetet anëtare, është moment i ri në historinë e shqiptarëve. Tashmë nuk ka asnjë dilemë lidhur me aleancën strategjike të Shqipërisë, ajo aleancë është me NATO-n dhe me shtetet që e përbëjnë atë, SHBA-të, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Turqinë, si shtet anëtar i NATO-s. Por, përfundimi me hepiend i rrugës së Shqipërisë ende nuk ka të bëjë me gjithë kombin shqiptar. Fjala vjen, Kosova, edhe pse ka një mbrojtje faktike nga NATO (e veshur me mandatin e KFOR-it, nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së), de jure është nën protektorat të OKB-së, e jo në sferën e NATO-s. Problemi është që ka rrezik që ky mandat të mbetet edhe për një kohë të gjatë, ngase Rusia e Kina nuk po lejojnë pranimin e Kosovës në OKB e, rrjedhimisht as ndryshimin e termave të rezolutës 1244.
Prandaj mund të thuhet se NATO, faktikisht, është në Kosovë, por Kosova nuk është në NATO e, sipas gjasave, nuk do të jetë në NATO edhe një kohë më të gjatë. Është pothuajse e sigurt që SHBA-të nuk do të lejojnë ndryshimin e mandatit të KFOR-it (nëse nuk pranohet Kosova si shtet në OKB), por kjo do të thotë se statusi i Kosovës do të mbetet pezull, si rivalitet ndërmjet Rusisë dhe SHBA-ve. Fragmenti i tretë gjeopolitik me rëndësi shqiptare, Maqedonia, po lëvizë, ndonëse jo pa pengesa, drejt anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike. Nëse finalizohet ky proces me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO (krahas Shqipërisë e Malit të Zi), atëherë praktikisht mbyllet dilema edhe për Kosovën, sado që formalisht mund të mbetet pezull. (Të vetmit shqiptarë që mbeten jashtë kësaj ombrelle janë bashkëkombësit tanë në Luginën e Preshevës.)
Realizimi i këtyre pozicionimeve të reja strategjike të shqiptarëve është mundësuar, në rend të parë, falë përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa vendosmërinë e saj në këtë drejtim, presionet dhe ofertat ndaj shqiptarëve nga aktorët evropianë do të mund të ishin hileqare e hutuese dhe ka rrezik që kalkulimet e tyre do ta mbanin pezull edhe rrezikun për ekzistencën e kombit tonë. Besoj se këtu e ka burimin ekzaltimi, entuziazmi dhe përkrahja plebishistare e shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, te bindja se SHBA-të janë sponsori dhe mbrojtësi i kombit shqiptar në fundshekullin XX dhe në shekullin XXI.
Secili komb a shtet e ka Amerikën e vet
Ky është një lloj panemarikanizmi interesant, pothuajse mbarëkombëtar. Po të ishte ekzaltimi me rolin e SHBA-ve vetëm i elitave politike dhe intelektuale, do të mund të vlerësohej si kalkulim për pozicionime e mbijetesa politike, por në rastin tonë ekzaltimi me SHBA-të është më shumë nga poshtë lart, pra nga vulgu. Por, i pompuar fort edhe nga elitat.
Megjithatë, edhe brenda elitave, kryesisht atyre të majta dhe atyre me begraund fetar islam, ka që shtrojnë dilema për këtë aleancë e këtë partneritet me SHBA-të. Motivet janë të ndryshme dhe si të tilla vështirë të detektueshme, por argumentet janë konkrete dhe, si të tilla, mund të diskutohen. E para, ka të bëjë me dyshimet mbi qëllimet e SHBA-ve në mbrojtjen e shqiptarëve. Ka që thonë se SHBA-të e kanë vetëm për interesat e veta. Natyrisht, SHBA-të si superfuqi, i projekton vetëm interesat e veta në të gjithë botën, prandaj edhe në Ballkan. Por, përputhja e interesave të shqiptarëve me interesat e SHBA-ve është fat historik dhe jo ndonjë rrethanë për dyshime. Kujtoj se derisa të vazhdojë rivaliteti gjeostrategjik i SHBA-ve me Rusinë në këtë rajon, pozita e shqiptarëve do të jetë e siguruar si partner i besueshëm i SHBA-ve, nëse ne shqiptarët sillemi si të tillë. Nëse shqiptarët luajnë lojëra hileqare ose ndërrojnë aleancë, atëherë afërmendsh se mund të kenë problem me SHBA-të, siç patën në periudhën e regjimit komunist, kur Shqipëria u rreshtua me Bashkimin Sovjetik e, më vonë, me Kinën, kundër Perëndimit.
Thënë thjesht, kjo aleancë edhe nga pozicioni shqiptar është e mbështetur ekskluzivisht në interesa gjeopolitike e gjeostrategjike dhe, si e tillë, duhet të kuptohet e të kultivohet. Moralizimet se gjoja SHBA-të në rajone të tjera bëjnë këtë e atë veprim, nuk mund të merren si serioze për promovimin e aleancës strategjike të shqiptarëve me SHBA-të në territorin dhe në kohën konkrete. Thënë figurativisht, secili komb a shtet e ka Amerikën e vet! Fjala vjen, roli dhe sjellja e SHBA-ve në Ishujt Marshall, në Bolivi, në Nikaragua, në Vietnam, në Kamboxhë, në Afganistan, në Irak ose në Siri, është objekt analize për politikat e saj në ato shtete e jo për raportin me shqiptarët. Roli i shqiptarëve në aleancën e NATO-s dhe me SHBA-të është i fokusuar si rol antirus dhe antiserb. Derisa të jetë nevoja amerikane dhe e NATO-s për këtë rol antirus, shqiptarët do të jenë aleatë preferencialë, natyrisht nëse dinë ta shfrytëzojnë këtë rol. Por, nuk do të jetë e lehtë të përmbushet tërësisht ky partneritet, jo për arsye gjeopolitike e gjeostrategjike. Nuk mund të fshihet as në këso kontekstesh fakti që shumica e shqiptarëve i përkasin fesë islame dhe gjithashtu një numër i madh i tyre identifikohen me ideologji të majta, gjë që në situata të ndryshme mund të shkaktojë fërkime ose mosbesim. Rasti me mercenarët në Irak e në Siri, sado që mbeti i izoluar dhe u menaxhua me propagandë e me represion të fortë, është një simptomë që duhet të mbahet nën vëzhgim, sepse SHBA-të kanë ndjeshëmri dhe reagime joproporcionale në këso rastesh.
Edhe sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje! lidhur me demarkimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi është pjesë e këtij problemi, që di të nxjerrë krye. Prandaj, detyra e elitave tona politike, intelektuale e fetare është që të shmangen situatat që prodhojnë mosbesim e konflikte të kësaj natyre me SHBA-të. Shikuar nga ky aspekt, as aleanca me SHBA-të nuk është plotësisht perfekte dhe as që mund të jetë e tillë. Kjo është aleancë e mbështetur në interesa të ndërsjella, të qarta dhe me rregulla strikte, të cilat i imponon pala e fortë. Prandaj, partneriteti kërkon shumë seriozitet, kujdes e qëndrueshmëri. Sikundër dihet, ka jo pak raste kur SHBA-të janë kthyer me reagime të ashpra edhe kundër ish aleatëve, kur kanë llogaritur se ata i kanë prishur rregullat e lojës ose kur vetë SHBA-të i kanë ndryshuar prioritetet gjeopolitike.
Rast i freskët është prishja me Sadam Hysejnin, i cili nga një aleat (që u përdor në luftën kundër Iranit) përfundoi në litar. Ne shqiptarët, edhe pa këtë njohuri, nuk kemi hapësirë për t’i prishur rregullat e partneritetit. Ne mund të mos kemi miq të përhershëm, por e sigurt është që kemi armiq të përhershëm. Armiku ynë i përhershëm mbetet pansllavizimi, i mishëruar në Serbinë dhe Rusinë, si sponsorja e saj. Prandaj, pa aleancën me SHBA, ne shqiptarët mbetemi të zbuluar ndaj këtij rreziku. Rrjedhimisht, kjo është dhe mbetet dashuri me interes, dashuri nga zori. Në disa manifestime kjo lloj dashurie është edhe naive, por në realitet është pajtim me një pozicion neokolonial. Fjala vjen, ndërhyrjet që i bëjnë ambasadori Lu në Shqipëri dhe ambasadori Delavi në Kosovë, janë indikative në këtë aspekt. Urdhrat e tyre pranohen më të shumtën “bezpogovorno” (pa u diskutuar – po ta përdorim fjalën serbe për të sugjeruar se ka ndodhë vetëm zëvendësimi i urdhrave serbe a ruse me ato amerikane.)
Ne shqiptarët pa opsione rezervë, ndaj jemi më të dobët se serbët
Faktikisht, kjo është një pozitë e dobët e neve shqiptarëve, pasi nuk ka asnjë opsion alternativ. Bile, neve shqiptarëve na është imponuar kufizimi edhe në raportet me Turqinë dhe shtetet e tjera muslimane, gjë që jo vetëm i rrit vështirësitë ekonomike, por edhe e mban faktorin shqiptar në një pozitë inferiore. Për imponimin e këtyre kufizimeve përdoret “gogoli islamik”, sado që shqiptarët pothuajse janë të imunizuar ndaj ekstremizmit. Rastet e paraqitura me mercenarët në Siri e në Irak nuk janë shprehje e ndonjë ndryshimi në qëndrimin kulturor, kombëtar e as gjeopolitik.
Bile është krejt e kundërta: zbehja e identitetit kombëtar në disa fragmente, e stimuluar po nga ndikimi amerikan, ka krijuar vakum dhe i ka shtyrë ata persona drejt krizës së identitetit dhe drejt tjetërsimit identitar. Rrjedhimisht, diga më e fortë kundër ekstremizmit mbetet forcimi i identitetit kombëtar shqiptar, krahas forcimit të pozicionit euro-atlantik, por edhe njohjes më të mirë të botës muslimane. Pse kjo e fundit? Ata që e njohin mirë Afganistanin kurrë nuk mund të bëhen taleban. Ata që e njohin mirë Irakun e Sirinë, kurrë nuk mund të bëhen pjesë e ISIS-it. Prandaj, këto kufizime, që u janë imponuar shqiptarëve në këto raporte, më shumë mund të jenë të dëmshme sesa që e forcojnë aleancën shqiptaro-amerikane. Por, tash për tash, sponsori e ka imponuar këtë spektër kufizimesh.
Përkundër neve shqiptarëve që jetojmë me këto kufizime, që përfshijnë edhe kultivimin më të theksuar të identitetit nacional, Serbia dhe serbët nuk i kanë këso kufizimesh. Serbia dhe Republika Serpska kanë partneritet strategjik me Rusinë, por edhe me Bashkimin Evropian e janë vazhdimisht të përkëdhelur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, kanë hapësirë manovrimi, të krijimit të prioriteteve, të kalimit nga njëri faktor të tjetri. Ndërkaq ne shqiptarët këtë mundësi thjesht nuk e kemi, sepse ariu rus na rri mbi kokë.
“Rusia ante portas”
Në njëfarë mënyre edhe pozicioni i sotëm gjeopolitik shqiptar është gati si në kohën e Gentit – zgjedhje ndërmjet dy fuqive rivale, por me një ndryshim: Rusia faktikisht nuk e kërkon fare aleancën me shqiptarët, si Maqedonia e dikurshme e Perseut. Rusia e ka të hapur armiqësinë, veçmas me qëndrimin ndaj Kosovës. Paradoksalisht, pra, Rusia na e ka imponuar që ta bëjmë më të sforcuar dashurinë për Amerikën dhe nuk na ka lënë asnjë zgjidhje tjetër.
Rusia është për ne ashtu siç ishte fantazma e Hanibalit për fëmijët romakë,vazhdimisht para derës. Por, në rastin tonë, jo si një parullë e nënave histerike, për t’i frikësuar fëmijët e pagjumë. Për ne parulla “Rusia para derës” është kërcënim ideologjik (pansllavist) dhe gjeopolitik konkret e serioz. Andaj mbështetja në SHBA-të është bërë e tillë, saqë ne shtiremi si vetëm entuziastë proamerikanë (a panemerikanë!) pa qenë vetëm të tillë. Bile edhe duke e vënë në sprova identitetin dhe interesin tonë mirëfilli evropian, si edhe identitetin fetar të shumicës. Definitivisht, ky debalancim i partneritetit (dhe dashurisë) tonë është pasojë direkte e kërcënimit permanent rus ndaj ekzistencës sonë, në rend të parë. Pastaj edhe e injorimit të Bashkimit Evropian ndaj kombit tonë, në rend të dytë. Kërcënimi rus dhe injorimi evropian e bëjnë varësinë tonë nga humori i SHBA-ve të plotë dhe nga pak infantil.