Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë me rastin e festës së Pashkës. Ai mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos, dhe përmes medias gjithë besimtarëve të tjerë që festojnë sot. Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se kjo ditë duhet t’u shërbejë çdo kujt për të ringjallur shpresën por edhe për të qenë më pranë të pamundurve.
“Ju uroj të gjithëve gëzuar! Një ditë shumë e bekuar sot dhe shpresoj shumë që, ditë të tilla na bëjnë edhe të reflektojmë pak për gjërat që na bashkojnë, që janë shumë më të mëdha se ato që na ndajnë. Në një vend që është i ngarkuar, që zien, që merret me cic-mice dhe me debate që ndoshta ndonjëherë nuk meritojnë të jenë kaq dramatike sa i bëjmë, ditë si e sotmja na shkarkojnë pak energji. Unë fillova ditën shumë mbarë sot, pagëzuam bebin e parë që i kam dhënë çekun e bebes kur fillova si kryetar bashkie, kështu që Sotiri i vogël sot kishte pagëzimin”, tha Veliaj në urimin e tij.
Në këtë ditë të shënuar për të gjithë mesimtarët ortodoksë ai dha për ta edhe lajmin e mirë për rigjallërimin e Kishës se Shën Prokopit në Kodrat e Liqenit të Parkut Artificial. “Bashkë me kryepeshkopin kemi finalizuar planet për ringritjen e Kishës së Shën Prokopit. Kisha që u prish gjatë kohës së komunizmit dhe u kthye në restorant, u rikthye në kishë, po ende duket si një restorant i stilit sovjetik. Kështu që, më në fund arkitektët e bashkisë dhe të kishës ortodokse kanë rigjetur të saktë të gjithë dizenjot dhe planin e kishës së vjetër dhe besoj në një kontekst fantastik si liqeni që është transformuar, rikthimi i kishës në vendin ku ka qenë, siç ka qenë, është qershia mbi tortë”, u shpreh Veliaj.
Sipas tij, në bashkëpunim edhe me Kishën Ortodokse do hapet një tjetër mensë sociale, ku ata që janë nevojë mund të gjejnë një vakt të ngrohtë. “Më vjen shumë mirë që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare na është bashkuar me një mensë tek zona e Shkollës së Kuqe. Bashkia ka hapur 6, por edhe ndihma që po na japin kishat, xhamitë, institucionet e tjera, përfshirë dhe Kishën Ortodokse është për t’u vlerësuar”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj. (BW)