Të gjithë ata që do të zgjedhin Dhërmiun si vendin për të kaluar pushimet e tyre këtë sezon, do të gjejnë të përfunduar shëtitoren e këtij fshati, të bregdetit jonian.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “me një investim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kjo shëtitore do të përfundojë para muajit qershor të këtij viti, në mënyrë që të vihet në dispozicion të pushuesve”.
Sipas tij, ky investim bashkë me projektin për kthimin në fshatra historikë të Dhërmiut dhe Vunoit, si dhe shëtitoren e Jalës, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro.
Kjo shëtitore, sipas Goros, do ta transformojë plazhin e Dhërmiut në një destinacion akoma më të kërkuar nga turistët.
Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga Tirana. Nga ana administrative, Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës./a.m.