Ata që kanë pritur që Samiti i Sofjes më 17 maj do të hapë ndonjë rrugë për shpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të mund të zhgënjehen rëndë, shkruan Koha Ditore.
Ky samit, edhe pse kanë mbetur më shumë se një muaj deri tek zhvillimi i tij në kryeqytetin e Bullgarisë, tash ka hasur në shumë pengesa që kanë bërë që ai të mos jetë aq ambicioz. Debati tash e sa javë më shumë është zhvilluar rreth asaj se për çfarë nuk bën të jetë ky samit sesa për çfarë do të jetë.
Kështu në përgatitje të samitit, siç ia kanë konfirmuar “Kohës Ditore” disa burime diplomatike, duhet adresuar shqetësimet e Spanjës dhe disa shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën dhe po ashtu edhe kërkesat e disa shteteve shumë të rëndësishme të BE-së që në asnjë mënyrë nuk duan që ky samit të jetë për zgjerim, përgatiti Express. (b.an)