Paraja jashtë sistemit bankar shqiptar arriti kulmin në fund të 2017 duke regjistruar një shifër rekord prej 265 miliardë lekësh, sipas bankës qendore, ose rreth 2 miliardë euro. Kjo shumë përbën një të pestën e parasë që qarkullon gjithsej në ekonominë tonë. Në shkurt të 2018 paraja jashtë sistemit bankar ishte 257 miliardë lekë, gati 500 milionë euro më shumë se shkurti i 2014. Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë me barrën e lartë fiskale që e detyron biznesin të operojë në një ekonomi informale.
“Kjo tregon që shkalla e ekonomisë informale në Shqipëri, bashkuar edhe me situatën e vështirë ekonomike tashmë janë më të dukshme. Këto janë dy fenomene të lidhura me njëra-tjetrën. Pra bizneset dhe qytetarët preferojnë që transaksionet tregtare t’i bëjnë jashtë sistemit bankar”, thotë Gjergj Buxhuku nga Konfindustria Shqiptare.
Nga ana tjetër, ulja e normave të interesit për depozitat vitet e fundit ka dhënë efeket në rritjen e parasë jashtë sistemit bankar. Por Gjergji Buxhuku mendon se dhe nisja e procesit të vettingut ka bërë që sasi të mëdha vlerash monetare, që disponohen nga zyrtarë të drejtësisë dhe persona të lidhur me ta ka dhënë ndikim në rritjen e sasisë së parasë që qarkullon jashtë bankave.
“Edhe procese të tilla si Vettingu, që kushtëzojnë në një masë të ndjeshme mbajtjen e parave jashtë sistemit bankar, sepse përndryshe mund të ishte një argument plus për t’iu nënshtruar procesit të vettingut”, deklaron Buxhuku.
Për t’u nënvizuar është fakti se Banka e Shqipërisë ka matur vetëm nivelin e parasë në monedhën vendase që është leku, ndërkohë që për valutën nuk ka statistika zyrtare.
TCH