Tarifa në Rrugën e Kombit është khtyer në çështjen kryesore të politikës duke tensionuar së tepërmi situatën mes mazhorancës dhe opozitës pas protesës së dhunshme të Kalimashit.
Për herë të parë ka reaguar lidhur me këtë tarifë edhe deputetja e zonës, nga radhët e PS, Mimi Kodheli.
Ish-ministrja e Mbrojtjes ka deklaruar sot për ‘News 24’ se tarifa e Rrugës së Kombit për banorët në zonë duhet të jetë zero.
Ndonëse tha ajo llogaritë matematikore mund ta nxjerrin edhe 5 euro tarifën, Kodheli u shpreh se banorët e Kukësit duhet të paguajnë shumë më pak.
Ajo shtoi se ka bërë diskutime konstruktive me dy ministrat Arben Ahmetaj e Damian Gjiknuri.
“Jam e bindur që kam thënë e bërë gjënë e duhur jo vetëm për faktin që kjo është një tarifë që duhet të rishikohet por edhe për faktin që deri kur të mbërrijmë tek vendosja e tarifave duhet të kemi disa gjëra parasysh. Në gjykimin tim si politikan por dhe si ekonomist nuk janë marrë parasysh. Duhet që të gjitha rrugët dytësore duhet të funksionojnë mirë.
Nuk është vetëm Rruga e Kukësit që do tarifohet por dhe rrugë të tjera. Ndaj duhet të ketë një plan. Kjo tarifë më së pari nuk duhet të bjerë në kurrizin e qytetarëve të Kukësit. Mbetet qarku më i varfër në Shqipëri. Çdo qytetar kuksian do të ishte i gatshëm për hatër të përfundimit të rrugës e mirëmbajtjes të paguante një shumë parash që nuk është asnjëherë 5 euro, sepse deri dje kanë paguar 10 mijë lekë të vjetra. Pra mund të ia lejojnë vetes të bëjnë një pagesë modeste, asnjëherë 5 euro. Ajo është një rrugë e rrezikshme e projektuar keq. Flas si shofere jo si politikane. Pra, për të kaluar një qytetar kuksian nga njëra pjesë e pronës tek tjetra, duhet të kalojë rrugën dhe nuk ka urë kalimi. Ka shumë arsye për të cilat tarifa duhet ridiskutuar, duhet reduktuar për qytetarët e Kukësit. Në gjykimin tim nuk duhet të jetë 5 euro.
Unë kam folur me ministrat respektivë dhe në diskutimet tona besoj konstruktive, ka një përllogaritje që mund të dalë edhe 5 euro. Problemi është që kësaj përllogaritje duhen shtuar disa efekte që jo domosdoshmërisht matematika arrin t’i shpjegojë. Kam thënë që nuk duhet të paguajnë, duhet të jetë zero tarifa për rastet që flisni”, tha Kodheli./a.m.