Gjykata e Tiranës ka liruar Manjola Priftin, ish-gruan e të ndjerit Fatmir Rama, i njohur si “Miri i Xhikes”. Ajo u arrestua një ditë më parë për llogari të autoriteteve italiane ku është dënuar për trafik droge.
Por sot gjykata ka caktuar ndaj saj masën “detyrim paraqitje”, duke e liruar nga qelia.
Prifti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike. Ajo njihet si bashkëshortja e Mirit të Xhikës i vrarë në Tiranë nga një atentat 15 vjet më parë në ambientet e “Kartodromit”, biznesit në pronësi të tij në Lundër. Miri i Xhikes ka qenë një prej kokave të trafikut të drogave të forta nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE.
Aktivitetin e paligjshëm, Fatmir Rama, sipas autoriteteve italiane, e kryente në bashkëpunim me bashkëshorten Manjola Prifti. Çifti, paratë e drogës të fituara në Itali dhe vende të tjera i investoi në biznese në Tiranë. Pas vrasjes së Mirit të Xhikes, e gjithë pasuria kapitale dhe monetare, i kaloi bashkëshortes së tij Manjola Prifti, e cila disa vite më parë ndërtoi në fshatin Vaqarr edhe diskotekën “Doberman Club” në të cilën ishte pronare e vetme e saj.
Autoritetet Gjyqësore Italiane, e kanë dënuar shtetasen Manjola Prifti me 7 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burg. /a.m.