Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ishte i ftuar në emisionin ‘Opinion’, ku mbi të gjitha foli për reformën në drejtësi dhe arrestimin e atyre të ashtuquajtur ‘peshq të mëdhenj’.
Ai tha se hetimet për ish ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, kanë avancuar dhe se pritet të procedohet me ndjekje penale.
“Po hetohet çështja ‘Tahiri’ dhe jemi pranë procedimit me ndjekje penale. Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur që gjykimi i tij të bëhet në Gjykatë dhe jo të lihet në dorë të politikanëve shqiptarë”, deklaroi Lu.
Ambasadori i SHBA-ve foli edhe për emra të tjerë të lidhur me krimin, të cilët i ka përmendur edhe më herët publikisht, ndërsa sqaroi edhe pozicionin e ish kryeprokurorit, Llalla.
“Llalla u bë i pari person, që i ndalohet zyrtarisht hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe ky vendim erdhi pas bindjes se ai ishte një njeri tërësisht i korruptuar. Aktualisht është arrestuar një person shumë i rëndësishëm i botës së krimit të organizuar, në Bodrum të Turqisë, ndërsa ne po shtyjmë shumë edhe për arrestimin e Klement Balilit. Ne besojmë se ai ndodhet në Shqipëri dhe duhet të arrestohet, pasi është dënuar edhe në Greqi. Ne po i bëjmë presion strukturave shtetërore, që të arrestojnë sa më shpejt Balilin dhe kam shumë besim se shumë shpejt ai do të vihet para drejtësisë”, u shpreh Donald Lu.
Donald Lu, lëshoi në publik një paralajmërim të bujshëm për arrestimin e peshqve të mëdhenj. Lu është personi i parë që futi në fjalorin e përditshëm politik nocionin “peshk i madh”. Ai foli mbi këtë koncept të huazuar nga fjalori mafioz që në vitin 2017, ndërsa premtoi se ‘në janar nis kapja e peshqve të mëdhenj’, si rezultat i reformës në drejtësi.
Në intervistën e dhënë për herë të parë në vendin tonë, ambasadori amerikan në Tiranë, përballë gazetarit Blendi Fevziu; deklaroi se ata persona do të arrestohen shumë shpejt, pavarësisht se duken që janë në det, peshqit e mëdhenj kanë përfunduar në rrjeta. Sipas tij, ka të dhëna bindëse që shumë shpejt do të ketë më shumë rezultate.
“Besoj, kam besim se do të ndëshkohen shumë shpejt. Shumica e peshqve të mëdhenj janë në det. Pak janë tashmë në rrjeta, por shoh të dhëna që shumë shpejt do të kemi më shumë rezultate. Më lejoni të jem specifik këtu. Met Kanani – Met Kanani është një trafikant droge i rrezikshëm, trafikant shqiptar, arrestuar në Bodrum, Turqi, dy javë më parë, me ndihmën e qeverisë shqiptare.
Është një person vërtet i rrezikshëm dhe policia juaj, prokurorët tuaj, njerëzit tuaj që punojnë kundër narkotikëve e dinëshumë mirëse kush është. Arbër Çekaj, përgjegjës për trafikimin e 613 kg kokainë…
U zhduk por tani ka një mandat arresti ndërkombëtar për të dhe Shqipëria po e kërkon kudo në Europë dhe ne po ndihmojmë për këtë. Klement Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar. Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, Z. Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge. …
Burgim të përjetshëm plus 15 vite. Tani duhet vetëm të kapet. Ne po shtyjmë shumë fort, me të gjitha burimet e Qeverisë së SHBA, për t’u siguruar që këta peshq të mëdhenj të shkojnë në burg. Le të flasim pak për politikanët.
Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim”
a.ç