Uashingtoni do të dërgojë ushtrinë në kufirin me Meksikën, për të vënë nën kontroll dyndjen e refugjatëve dhe emigrantëve ilegalë por edhe rrugët e narkotrafikut nga vendet e Amerikës Latine. Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi urdhrin, ku theksohet se situata në kufi ka arritur pikën e krizës. Sipas Trumpit dërgimi i ushtrisë është zgjidhje e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe sovranitetin e popullit amerikan, teksa projekti i murit po ecën me ritme të ngadalta për shkak të burokracive.
Sekretarja për Sigurinë e Brendshme Kirstjen Nielsen nuk dha detaje për numrin e trupave që do të vendosen në kufi. Por prania pritet të jetë e madhe më e madhe se në vitin 2006, kur administrata Bush dërgoi 6 mijë trupa për të siguruar kufijtë. Sëbashku me urdhrin e Obamës në vitin 2010 për dërgimin e 1200 trupave në kufi, këto përbëjnë 2 rastet e rralla në 12 vitet e fundit kur ushtria merr kontrollin e kufijve amerikanë.
Për kritikët, kjo është një manovër e Trumpit për të justifikuar mungesën e një zgjidhjeje për 800 mijë emigrantë të jashtëligjshëm të ardhur në moshë minore me prindërit e tyre, të cilët mbeten pa mbështetje dhe rrezikojnë dëbimin, pas shfuqizimit të ligjit të mëparshëm të administratës Obama.
a.ç