“Nëse Ramush Haradinaj pretendoi se në çdo dy javë takohet me Milan Radojiçiqin si me një njeri të rëndësishëm për veriun e Kosovës me të cilin flet për integrimin serbëve, atëherë mund të supozojmë se kush në fakt frenon hetimin për vrasjen e Olivera Ivanoviqit”, ka thënë për gazetën “danas” Rada Trajkoviq, ish – deputete e Kosovës.
Ajo mendon se ekziston marrëveshja politike që të heshtet për vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare Liria, demokracia, drejtësia (Sloboda, demokratija, pravda) dhe se nuk është sekret që Radojçiqin të gjithë e marrin si shefin kryesor të Mafias në veri të Kosovës.
Sipas Trajkoviqit, transmeton Koha.net, për Ramush Haradinajn është më pak e rëndësishme nëse Lista Serbe e përkrah në Kuvendin e Kosovës,sepse, siç vlerëson ajo, deputetët e saj janë vetëm dekor, ndërsa Radojiçiq negociues.
“Radojiçiq paraqitet në veri gjatë ngjarjes së pakëndshme kur ndërhyri Policia e Kosovës si përcjellës i delegacionit nga Beogradi. Por, gjatë aksionit policor iku nga vendi i ngjarjes që të mos arrestohej gjë që flet për lirimin e tij me kusht që do të zgjasë derisa të ekzistojë marrëveshja politike”, thotë Trajkoviq dhe përsërit “se vrasja e Ivanoviqit është krim i tmerrshëm me të cilin është eliminuar më i miri në mesin tonë”.
Në një bisedë të mëparshme, përkujton “Danas” i Beogradit, Trajkoviq kishte thënë se është sekret publik se pushtetin e vërtetë në veri e ka Milan Radojiçiq, i cili nga bashkësia ndërkombëtare cilësohet njeri i Mafias dhe se pushtetin zyrtarisht nuk e udhëheqin kryetarët e zgjedhur të komunave, përgatiti Koha. (b.an)