Budapesti është bërë i pakapërcyeshëm në vendin e parë kur bëhet fjalë për xhirimin e filmave hollywood-ianë jashtë vendit, pasi ka njërin prej sistemeve më konkurrentë në Evropë, i cili produksioneve të huaja u ofron kthim të investimeve deri në 25 për qind.
Edhe pse Bullgaria e Rumania janë dukshëm më të lira, Hungaria e mban primatin. Kësisoj, sipas shkrimit të SeeCult që e transmeton sot “Koha Ditore”, vetëm gjatë vitit 2016 ka inkasuar 271 milionë euro prej xhirimit të filmave, dhe kjo përbën 0.15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP-së) që shënon përqindjen më të lartë në Evropë.
Industria filmike prej rreth 100 kompanive punëson gati 4 mijë punëtorë pa i llogaritur edhe vendet e punës që lidhen me këtë në sektorin e turizmit. Vitin e kaluar në Hungari janë bërë 285 xhirime filmike, duke llogaritur edhe 64 produksione të huaja.
Kjo i ka ndihmuar edhe lulëzimit të kinematografisë hungareze, e cila ka shënuar suksese edhe në skenën ndërkombëtare. Regjisori e skenaristi hungarez László Nemes, para dy vjetësh me “Son of Saul” mori çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Regjisorja Ildikó Enyedi vitin e kaluar me “On Body and Soul” mori “Ariun e Artë” në edicionin e 67-të të “Berlinales”.