Ish-Kryetar për dy dekada, Inxhinier Agim Karagjozi, President Nderi i Federatës PanShqiptare VATRA ka ndërruar jetë në spital në Long Island, New York në moshën 92 vjeçare.
Ai la pas vetes bashkëshorten Rozi, djemtë Zyhdinë dhe Shpëtimin, vajzën Angel, motrën Bukuroshe, vëllanë Vesim, mbesën Miranda (Telegrafi) nipin Armand (Vinçani), si dhe shumë nipa e mbesa, kushërinj e familjarë në SHBA dhe Shqipëri.
Agim Karagjozi lindi në Gjirokastër në shtator të viti 1926 dhe ndërroi jetë në New York 31 Mars 2018 SHBA)
Katër klasë të arsimit fillor i bëri në qytetin e lindjes, klasën e pestë në Vlorë. Në vitet 1938 – 1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës deri në klasën e pestë.
Nga viti shkollor 1948–49 deri në qershor 1955, ndoqi studimet në kolegjin amerikan Robert College në Stamboll, Turqi, ku u diplomua në inxhinieri, dega elektrike.
Tipari më i qenësishëm i tij është lidhja e thellë shpirtërore me identitetin kombëtar shqiptar dhe vullenti për të bërë detyrën ndaj atdheut, duke marrë pjesë në çdo veprimtari në shërbim të realizimit të aspiratave të drejta të popullit shqiptar, kudo që ka qenë – në Shqipëri, Itali, Turqi, Amerkë.
Në vitet 1943-44, ishte anëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. Në verë 1944, ishte vullnetar në batalionin “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës, ku ra dëshmor i riu Hamit Troplini.
Në nëntor 1944, u largua nga Shqipëria dhe pas afër katër vitesh në kampe refugjatësh në Itali, bashkë me babanë emigruan në Turqi. Ne vitin 1956, u zhvendos në Amerikë ku qëndroi deri në fund të jetës. Që nga viti 1960, ishte anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe nga viti 1992-2010, kryetar i historik i Vatrës./a.m.