Ka zgjedhur një element të veçantë urimi për Pashkët presidenti i vendit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës ku u pritën nga kryetari i Konferencës Ipeshkvore dhe Arpeshkvi katolik metropolitan, Imzot George Frendo.
Presidenti Meta uroi personalisht klerikëve e lartë të Kishës Katolike si dhe gjithë besimtarët katolikë Festën e shenjtë të Pashkëve për më tepër shpresë dhe optimizëm në këtë ditë të ringjalljes së shpresës e ripërtëritjes së besimit në Zot dhe në vlerat e virtytet më të mira shpirtërore dhe rritjes së dashurisë për njëri-tjetrin.
“Në këtë ditë të bekuar të ringjalljes së shpresës e besimit, së bashku me familjen time, përjetova një përvojë emocionuese dhe të paharruar, duke kremtuar Pashkët katolike, bashkërisht me personat me aftësi të kufizuara dhe të afërmit e tyre në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës” – u shpreh Presidenti Meta në një status në Facebook.