“Jemi vërtet të mrekulluar nga Shqipëria. Natyra ishte shumë e bukur, pavarësisht motit. Ishte interesante që t’i shikoje malin dhe detin kaq afër. Rrugët lidhëse të qyteteve ishin kaq të ndryshme dhe të bukura, i shijoje gjatë kalimit”
Nga Deada Hyka
Matthew dhe Helene, prej vitesh punojnë në një nga agjencitë e reklamave më në zë në Britaninë e Madhe. Puna e tyre si fotografë dhe editorë arti i ka angazhuar me xhirime të shumta, në çdo cep të globit. Por, në Shqipëri erdhën për herë të parë në mesin e këtij marsi. Në sytë e tyre mund të dalloje qartë kënaqësinë që morën nga vendi ynë, ku veçuan një sërë aktivitetesh që brenda një jave arritën t’i përmbushnin. Gjatë dhe pas xhirimeve, si vizitorë të mirëfilltë. Pyetjes, a do të ktheheshit sërish në Shqipëri, iu përgjigjën njëzëri: “sigurisht”, ende me valixhe në duar, pak para se avioni i tyre të nisej për Londër.
Matt dhe Helene janë pjesë e agjencisë së marketingut “Red Wood London”, e cila u kontraktua për të xhiruar një spot fotografik për Mazda MX-5, makina e cila njihet si fituesja e çmimit “Best of the Best” në vitin 2017.
Po çfarë tregojnë Matt dhe Helene, në prapaskenat e xhirimit të reklamës së tyre? Sipas tyre, qëndrimi i tyre këtu nuk ka qenë vetëm punë. Përkundrazi, e kanë shijuar vizitën në vendin tonë si turistë të vërtetë dhe japin dëshmi rreth përvojës së tyre këtu dhe të gjitha vendet historike që kanë vizituar. Monumentet historike dhe vetë historia e Shqipërisë është ndër gjërat që veçojnë më tepër, duke marrë shkas nga vizitat e shumta që kanë bërë në disa nga sitet historike në Jug të vendit. Sipas tyre, kontrasti i theksuar i relievit shqiptar e bën Shqipërinë një vend tërheqës, fjalë këto që thuhen nga fotografë dhe editorë arti me përvojë ndërkombëtare. Ata tregojnë se e kanë shijuar shumë ushqimin e pasur të detit dhe mjaltin e shijshëm shqiptar.
Duke marrë shkas nga vizita profesionale këtu, sipas tyre Shqipëria përbën potencial për xhirime të tjera, ndër to industria e verës ofron shumë mundësi. Ndërsa sugjerimi si turistë është që të përçojnë tek lidhjet e tyre përvojën në këtë “perlë të fshehur të Europës”.
Nik Berg, kryeredaktori i agjencisë “Red Wood London” tregon për “Monitor” se mendimi i tij për të xhiruar në Shqipëri erdhi pas hulumtimit dhe leximit, ku veçoi rrugët e Jugut të Shqipërisë.
“Ishte sugjerimi im që grupi i punës të vinte në Shqipëri. Në veçanti, rruga SH23 më la mbresa dhe mendova se do të ishte një përvojë e veçantë e përjetuar nën rrotat e Mazda MX-5”, – tregon z. Berg.
“Ne jemi gjithmonë në kërkim të rrugëve të përsosura në aspektin e drejtimit të makinës në to, në mundësitë që ofron një rrugë për xhirime të mëtejshme, në destinacione pak të njohura dhe të vizituara. Ndaj, mendova se Shqipëria ishte panorama ideale që përmbushte këto kushte”, – përfundon ai.
Flasin Matthew Reynolds dhe Helene Dancer, fotografë dhe editorë arti në agjencinë “Red Wood London”
Pse zgjodhët Shqipërinë për të xhiruar spotin tuaj të radhës?
Ne dëshironim që të gjenim një destinacion që të bënim fotografitë për Mazda MX-5 dhe rrugët në Jug të Shqipërisë ishin shumë të bukura, kur i pamë menduam se do të ishte vendi ideal për të ardhur për spotin. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend interesant sepse mund ta konsiderojmë si një “perlë e fshehur”, si një sekret i Europës, për të cilin pak njerëz janë në dijeni. Ndaj, në këtë kontekst, menduam të zbulojmë diçka të re dhe të shijonim njëkohësisht edhe punën për të cilën erdhëm.
A ua këshilloi dikush Shqipërinë?
Po, erdhi si sugjerim nga kryeredaktori i revistës sonë në Londër, z. Nik Berg. Ai na e këshilloi Shqipërinë si destinacion.
Si ishte procesi i xhirimeve tuaja? Çfarë përvoje patët në tërësi?
Përvojë shumë pozitive. Shkuam fillimisht në Vlorë dhe më pas në Sarandë. Gjatë rrugës ndaluam në disa pika. Jemi vërtet të mrekulluar nga Shqipëria. Natyra ishte shumë e bukur, pavarësisht motit. Ishte interesante që t’i shikoje malin dhe detin kaq afër. Rrugët lidhëse të qyteteve ishin kaq të ndryshme dhe të bukura, i shijoje gjatë kalimit. Na u duk interesante vizita në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë dhe ndërkohë mësuam për shpalljen e pavarësisë së vendit. Ndër më interesantet që kemi vizituar mund të veçojmë vendet historike. I pamë nga afër, e ndiem historinë e këtij vendi.
Butrinti dhe Kalaja e Gjirokastrës ishin shumë të veçanta. Sa u përket detajeve të përvojës sonë këtu, do të përmendnim ushqimin e detit dhe mjaltin shqiptar: shumë të shijshëm. Përveç xhirimeve, kemi bërë foto në disa pika, të gjitha interesante. Pamë edhe pjesën e jetës së fshatit, aq e bukur: përshëndetëm kafshët, adoptuam dhe një qen gjatë qëndrimit tonë.
Jemi mrekulluar nga brigjet detare. Ndër më të bukurit veçojmë tre ishujt e Ksamilit. Kemi ngrënë kryesisht ushqime deti, ishin shumë të shijshëm dhe më pak të shtrenjtë se në Londër. Na bëri përshtypje që pjesa më e madhe e restoranteve ishin të stilit dhe menusë italiane, besoj nga afërsia që keni.
Gjatë xhirimeve që realizuat, a e shijuat njëkohësisht punën dhe qëndrimin si turistë? A do të cilësohet që fotot e xhirimeve janë kryer në Shqipëri?
Po, do ta shënojmë në të gjithë fotot që do të publikohen së shpejti që janë shkrepur në Shqipëri. Do të kemi një hapësirë në revistë që mendojmë ta titullojmë: “Duke festuar në Shqipëri”. Mendojmë se e shijuam shumë qëndrimin këtu, nuk e pamë vetëm si punë. Jam e sigurt që secili nga ne do të japë përshtypjet e veta, edhe brenda në revistë, që është një destinacion për t’u zbuluar sa më parë. Kemi përshtypje mjaft pozitive.
Do ta këshillonit Shqipërinë si destinacion për turistët? A do të dëshironit të vinit sërish?
Sigurisht që po. Do të dëshironim të vinim gjatë sezonit veror që ta shijojmë më shumë. Jemi të sigurt për këtë. Mendojmë se është një destinacion për t’u vizituar. Po bëhet gjithnjë e më shumë popullor. Do të dëshironim të shihnim edhe vende të tjera. P.sh., Tiranën e pamë fare pak. Ose të tjera destinacione, qytetet kanë ndryshuar shumë me kalimin e viteve, ndaj duhen vizituar, ose riparë për ata që kanë qenë më parë. Ndaj dhe ne mendojmë se do të ishim të interesuar ta shihnim sërish pas pak kohësh.
A ofron Shqipëria vende interesante për të xhiruar për tematika të tjera, jo vetëm reklamë makinash?
Gjykojmë se po. Për shembull, do ta veçonim për prodhimin e verërave, apo për mjaltin. Nga ana tjetër, edhe historia e vendit do të përbënte potencial për t’u trajtuar, ka aq shumë site që dëshmojnë jetëgjatësinë dhe histori që preken nga afër. Na bënë shumë përshtypje bunkerët, të cilët i kemi fotografuar menjëherë sa i pamë./monitor/ma.me