Si çdo javë eksperti për çështjet e pensioneve profesor Fadil Kepi ka sqaruar nga Report TV qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Në emisionin “Këndi i Ekspertit nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, profesor Kepi u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme. Eksperti ka sqaruar se çfarë duhet të dinë qytetarët për shtesat që u takojnë në pensionin e tyre apo për pensionin minimal.
Stefan Papa nga Berati na shkruan: “Në mars të vitit 1993, në moshën 57 vjeç, dola në pension me 60% të pagës. Ndërkohë, në nëntor të vitit 1996, në moshën 60 vjeç, mora pension të plotë. Shtesën e pensionit të viteve 1993 dhe 1996 nuk e përfitova. A më takon kjo shtesë dhe cila është procedura që duhet të ndjek për t’u sqaruar zyrtarisht?”.
Meqenëse jemi në ditën e parafundit të marsit, ju sivjet në mars keni plotësuar 25 vjet që e gëzoni pensionin. Ju uroj që ta gëzoni edhe për shumë vite të tjera. Ta kaloni moshën 100 vjeç. Sivjet ju jeni 81 vjeç. Ju sqaroj se në vitin 1993, meqenëse u mbyllën shumë qendra pune, doli një ligj, i cili theksonte: “Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët i kanë vitet e punës, por nuk kanë plotësuar moshën, mund të dalin në pension me dëshirën e tyre dhe me dëshirën e qendrës së punës, 5 vjet para plotësimit të moshës”.
Meqenëse u shkurtuan vendet e punës, ju zgjodhët rrugën më të arsyeshme që të mos qëndronit pa rrogë dhe pa pension. Prandaj në vitin 1993, në moshën 57 vjeç, para se të plotësonit moshën e pensionit që ka qenë 60 vjeç në atë kohë për burrat, ju dolët në pension me 60% të pagës. Në dosjen tuaj të pensionit është një kërkesë e firmosur nga ju, ku shkruhet: “Kërkoj të dal me dëshirën time, me 60% të pagës dhe me dëshirën e qendrës së punës”, se kështu thoshte ligji. Në vitin 1996, pas 3 viteve, nga 57 vjeç u bëtë 60 vjeç, dhe morët pensionin e plotë që në atë kohë ka qenë 70% e pagës. Të gjitha shtesat e pensioneve, që janë bërë nga viti 1993 e në vazhdim, ju i keni marrë, përfshi këtu edhe shtesën e pensionit që është bërë në vitin 2017, në datën 1 shkurt, me 3%. Parashikohet që brenda 4-mujorit të dytë të këtij viti të ketë përsëri rritje ose indeksim pensionesh.
Ju mund të keni paqartësi. Meqenëse ju banoni në Berat, unë mendoj që mund të shkoni dhe të takoni drejtorin e Sigurimeve Shoqërore në Berat duke i parashtruar shumë qartë ato që na ke shkruar. Nëse nuk bindesh, mund t’i bëni edhe një kërkesë me shkrim komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, i cili përbëhet nga 4 persona ekspertë. Kërkesën do ta bësh me shkrim dhe përgjigjen do ta marrësh me shkrim. Nëse përsëri nuk bindesh, mund të bësh një ankesë tjetër Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Duke shpresuar se ju kam sqaruar, ju uroj shëndet të mirë dhe jetë të gjatë.
Telefonoj nga Tirana. Trajtohem me KEMP. Në qershor mbush 60 vjeç. KEMP-i më mbaron në tetor. Pastaj unë dua edhe 4 muaj që të mbush moshën 60 vjeç e 8 muaj që duhet për pension. Si duhet të veproj?
Ju thatë që në qershor mbushni 60 vjeç. Zonjë e nderuar, ju nuk dilni në pension në tetor, do të dilni në pension 60 vjeçe e 8 muaj. Pra, 60 vjeç e 8 muaj nuk i plotësoni sivjet sepse nga qershori deri në dhjetor janë 6 muaj. Pra, do të hyhet në vitin 2019. Në vitin 2019, të gjitha gratë do të dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj. Pra, ti do të dalën në pension në fund të muajit prill 2019. Ju do të dilni patjetër në KEMP në tetor të këtij viti.
Në qoftë se data e pensionit në prill 2019 ju zë invalide e plotë, ju keni të drejtë të zgjidhni ose pensionin e pleqërisë ose pensionin e invaliditetit, cila shumë ju del më e lartë. Nëse do të marrësh pensionin e plotë, pavarësisht se çfarë pensioni zgjidhni, në fund të prillit të vitit 2019, kur për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj pune, dhe mosha 60 vjeç e 10 muaj, juve ju del pensioni i invaliditetit më i lartë, atë do të zgjidhni. Në qoftë se Sigurimet Shoqërore ju thonë që ju del pensioni i pleqërisë më i lartë, atëherë ju do të zgjidhni pensionin e pleqërisë, pra cila shumë të dalë më e lartë atë do të zgjidhni.
Por, pavarësisht se çfarë shume do të zgjidhni, shtesa prej 3.300 lekësh të reja në muaj nëse je me pension të plotë invaliditeti, do t’ju shtohet mbi pensionin që do të zgjidhni. Nëse je me pension të pjesshëm invaliditeti shtesa nuk është 3.300 lekë të reja muaj, por është 2.200 lekë të reja në muaj. Dhe këtë shtesë do ta merrni përsëri mbi pensionin. Mos hezito që të dalësh në KEMP. Nëse mosha e pensionit të pleqërisë nuk iu zë në KEMP, pensioni i invaliditetit dhe shtesa që merrni nga bashkia ju është ndërprerë. Ju sugjeroj që një muaj para se të plotësoni kushtet për të dalë në KEMP, të konsultoheni me mjekët në Drejtorinë Rajonale te rruga “Myslym Shyri”. Shpresoj që t’ju kem sqaruar.
Disa teleshikues na shkruajnë dhe pyesin: “A njihet vjetërsi pune për pension periudha e kryerjes së dënimit për motive ordinere?”.
Në burgjet tona s’ka më dënime për motive politike, por ka për motive ordinere. Lidhur me këtë, ka një libër me titull “Përmbledhje e plotë e legjislacionit mbi sistemin e burgimit dhe të paraburgimit”. Ky botim është financuar nga Bashkimi Evropian. E theksoj, është financuar nga Bashkimi Evropian. Prandaj, edhe për të burgosurit duhet të trajtohen sipas Kushtetutës së Republikës, sipas ligjeve tona, por edhe sipas ligjeve ndërkombëtare. Çfarë thuhet në këtë legjislacion.
Është një ligj me nr. 8328, i miratuar më 16 prill të vitit 1998. Është dekretuar nga Presidenti i Republikës, zoti Rexhep Meidani, më 30 prill të vitit 1998. Çfarë thuhet në nenin 34 dhe 35 të ligjit nr. 8328, që është botuar në këtë legjislacion? Thuhet kështu: “Puna në burg nuk ka karakter dënimi, por shpërblehet. Puna organizohet nga drejtoria e burgut, brenda dhe jashtë institucionit, Gjatë vuajtjes së dënimit me burgim nuk mund të detyrohen të punojnë të dënuarit që i kanë plotësuar kushtet për pension pleqërie, invalidët dhe gratë shtatzëna. Kohëzgjatja e punës nuk mund të kalojë kufijtë e përcaktimit në Kodin e Punës, që është i njëjtë si për të dënuarit për motive ordinere kur punojnë, ashtu edhe për të tjerët.
Puna është me shpërblim dhe përfshihet në vjetërsinë e punës për efekte pensioni”. Por, meqenëse drejtorët e burgjeve ndërrohen shpesh, unë do t’iu sugjeroja që jo vetëm ta lexojnë me kujdes këtë legjislacion, por të jenë tepër të vëmendshëm, të bashkëpunojnë edhe me drejtorinë e financës, sepse nëse kërkon që të dënuarit të punojnë, duhet t’u paguash edhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Dhe në këtë rast, puna e të burgosurve për motive ordinere quhet vjetërsi pune për efekte pensioni. Duke bashkëpunuar me drejtorinë e financës, kur i dënuari lirohet nga burgu, do të marrë një vërtetim për kohën e punës që ka punuar gjatë dënimit.
Telefonoj nga Tirana. Gruaja ime e ka mbushur moshën më 20 shtator 2015, 60 vjeç e 2 muaj. Kur i paraqita dokumentet, libreza ishte dublikatë e lëshuar më 1999, nga ndërmarrja bujqësore Levan, sektori Shtyllas, ku kemi qenë të internuar. Më thanë që kishin kontrolluar vitet dhe nga 1975 deri më 1990 ekzistojnë me korrigjime, kështu që unë duhej t’i drejtohesha gjykatës. Unë iu drejtova gjykatës dhe para 1 muaji, pasi çova dhe 2 dëshmitarët, të cilët u verifikuan bashkë me librezat e tyre, pas 2 vjet e gjysmë, zonja Anila Capo, e rrëzoi gjyqin dhe nuk na i dha 15 vitet e punës. Si mund të veprojnë tani?
Zotëri i nderuar, në qoftë se ke humbur gjyqin e shkallës së parë, nuk është faji i Sigurimeve Shoqërore. Konsultohu me ndonjë jurist, dhe mund ta çosh çështjen në gjykatën e shkallës së dytë. Një gjë duhet të keni parasysh, që kur thuhet librezë dublikatë do të thotë që origjinali ka humbur. Origjinalin mund ta ketë gjetur një person tjetër dhe ka mjaft njerëz me të njëjtin emër e mbiemër. Pra, ruajini mirë librezat e punës. Është e përcaktuar me ligj që, nëse libreza e punës është dublikatë, do të verifikohet imtësisht. E drejta nuk mohohet asnjëherë. Në këtë rast, zotëria duhet të shkojë në gjykatën e shkallës së dytë.
Telefonoj nga Tirana. Jam ish-ushtarak dhe marr një pension minimal sepse jam në marrëdhënie pune. Jam 60 vjeç. Më duhen edhe 5 vjet për të dalë në pension. Edhe pse jam në marrëdhënie pune, punoj në një institucion, që, sipas ligjeve të shtetit, duhet të jem përsëri ushtarak, por kjo nuk më njihet, njihem si civil dhe marr edhe pensionin si ushtarak. Në ndërmarrjen ku unë punoj tani, duhet të jem ushtarak, por nuk më quajnë ushtarak. Si veprohet në këtë rast?
Në nenin 14 të ligjit 10142, datë 15.05.2009, botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 87, thuhet: “Personat, të cilët kanë dalë me pagesë kalimtare 2 vjet dhe pastaj kanë marrë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nuk kanë të drejtë të punësohen më si ushtarakë as në Forcat e Armatosura, as në Policinë e Shtetit, as në policinë e burgjeve, as në shërbimin e zjarrfikëseve, as në Gardën e Republikës, as në shërbimin e kontrollit të brendshëm”. Në qoftë se punësohesh si ushtarak të ndërpritet fare pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
Në qoftë se punësohesh në punë të tjera, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi të bëhet sa një pension bazë, pension minimal, aktualisht 12.800 lekë të reja. Dhe atje ku punësohesh do të paguash kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Shteti të siguron për pension minimal dhe do të sigurohesh në punë shtetërore apo private, por jo si ushtarak. Ka shumë ushtarakë, të cilët dalin në rezervë ose në lirim, mirëpo banojnë në fshat. Këta quhen të vetëpunësuar. Përsëri i bëhet pensioni sa një pension minimal dhe kanë të drejtë të merren me çfarë të duan. Të sugjeroj të lexosh ligjin që të sqarohesh.
ma.me