Petrit Vasili i cili sot lëshoi anatemen për refuzimin e pagesës së taksës për kalimin në Rrugën e Kombit “ka harruar” që kolegu i tij Edmond Haxhinasto në emisionin “Tonight Ilva Tare” në Ora News në 24 janar 2014 deklaronte “unë jam optimist që brenda këtij viti kjo rrugë do të jepet me koncesion por besoj që do të jetë një mënyrë për të plotësuar edhe disa nga ato punime që akoma nuk janë plotësuar.
Këto kanë të bëjnë që nga urat, skarpatat që kanë patur rrëshqitje, për ta përfunduar dhe sjellë në një standard të pranueshëm këtë rrugë. Është në projekt koncesionimi edhe i rrugëve të tjera si ajo Tiranë-Durrës apo Tiranë-Elbasan”.
Në një tjetër deklaratë publike të 29 tetorit 2014, Edmond Haxhinasto deklaronte për çështjen e kostos së kalimit “është diskutuar për një kosto 5 euro por nuk mund të them se është shifra përfundimtare.
Mendoj se do ndjekim një praktikë që tashmë është botërore. Është e domosdoshme që përdoruesit e rrugës, për të marrë një shërbim me cilësi më të lartë duhet të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës. Kjo masë që unë thashë është llogaritur duke patur parasysh edhe mesataret rajonale. Nuk është më e lartë se mesataret rajonale. Ajo masë është relativisht gati sa 3-4 litra naftë dhe besoj që do jetë një kosto e përballueshme nëse do kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohej në rrugë në rastin e realizimit të të gjitha shërbimeve të mirëmbajtjes që ajo rrugë ka nevojë”. (Lexo.al)