Shqipëria do të ndeshet nesër në orën 19:00 në ‘Elbasan Arena’ kundër Norvegjisë dhe për këtë takim ka folur trajneri mik, Lars Lagerbek. Ai ka treguar se menjëherë pas sfidës së fituar pak ditë më parë kundër Australisë me shifrat 4-1 ka nisur të mendojë për Shqipërinë.
“Pas takimit ndaj Australisë nisëm të mendonim për Shqipërinë. Mendoj se na pret një përballje e vështirë. Kemi provuar në këto dy ditë të studiojmë lojën e Shqipërisë dhe e di që trajneri Panuçi po aplikon një sistem të ri, për këtë arsye po përgatisim lojtarët që të jenë të gatshëm për disa module të ndryshëm. Kam shumë respekt për Shqipërinë dhe mendoj se kanë një grup të mirë lojtarësh. Në Europian u paraqitën mjaft mirë, e ritheksoj e vlerësoj Panuçin dhe ekipin shqiptar”.
Stili i lojës së Norvegjisë?
“Unë si trajner kam një filozofi që është të bëjmë lojën tonë në çdo takim, pavarësisht kundërshtarit. Ne do të shkojmë në Elbasan për të imponuar futbollin tonë, natyrisht mund të ketë momente gjatë ndeshjes që do të duhet ti përshtatesh edhe kundërshtarit.”
Lagerbak ishte njeriu që dërgoi Islandën për në “Euro 2016”. Trajneri jep recetën e tij se çfarë duhet për të patur një sukses të tillë.
“Kam bindjen se duhet të punohet fort me sektorin e të rinjve dhe më kryesorja duhen trajnerë të aftë. Duhet të punohet me kushte bashkëkohore dhe nëse çdo gjë kryhet në mënyrë të saktë atëherë mund të presësh rezultatet.” (Balkanweb)