Sezoni 2018-2019 i Ligës së Kampioneve do të jetë edhe më i pasur. Duke nisur nga edicioni i ardhshëm, skuadrat pjesëmarrëse në elitën e futbollit europian për klubet do të shtojnë të ardhurat e tyre nga bonuset e UEFA-s, duke qenë se qeveria europiane e futbollit ka vendosur për shtimin e skemës së bonusit me 35 për qind më shumë se sezoni aktual.
Plot 1.9 miliardë euro do t’u shpërndahen klubeve pjesë- marrëse në Champions. Skuadrat që do të kualifikohen në fazën e grupeve nuk do të fitojnë më 12.7 milionë euro, por 15 milionë. Pastaj, çdo fitore në grup do të vlejë gati dyfish (nga 1.5 milionë që është aktualisht do të bëhet 2.7 milionë), ndërsa barazimi do të shkojë në 900 mijë euro nga 500 mijë që është aktualisht. Por, shtimi i skemës së bonusit do të pësojë rritje për çdo fazë kualifikuese. Kualifikimi në 1/8-at, çerekfinale, gjysmëfinale do të vlejë respektivisht 9.5, 10.5 dhe 12 milionë euro (aktualisht është 6, 6.5 dhe 7.5 milionë euro).
Ndërsa, skuadra që do të shpallet kampione në finalen e “Vanda Metropolitaano” të Madridit do të arkëtojë 19 milionë euro nga 15.5 që është sot dhe finalistja humbëse 15 milionë nga 11 që është aktualisht. Një tjetër risi do të jetë edhe ndarja e “market pool”-it, paratë e fituara nga e drejta televizive dhe marketingu.
E drejta televizive do të ndikojë në vetëm 15 për qind të të ardhurave, shpërblimet nga rezultatet 30 për qind, pjesëmarrja 25 për qind, ndërsa pjesa tjetër e mbetur prej 30 për qind do të vijë nga rezultatet historike. Pra, do të ketë një bonus historik që do t’u shkojë ekipeve të mëdha. Nëse Milani kualifikohet për shembull do të përfitonte më shumë se të tjerët (përveç Realit), falë 7 titujve kampion. (Panorama)