Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla mund të arrestohet.
Lajmi nuk është zyrtar por qarkullon tashmë në rrethe të ngushta që po monitorojnë nga afër processin e Vettingut dhe ndikimet e tij në sistemin e drejtësisë.
Ndoshta jo rastësisht është një media gjermane që thekson rastin Llalla në një analizë botuar sot mbi procesin e Vettingut në Shqipëri.
Seksioni shqip i Deutsche Welles shkruan se ish-kryeprokurori mund të jetë “peshku i madh i parë i kapur”.
“Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë process thanë për DW se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera” – shkruan DW dhe shton: “Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit”.
Departamenti Amerikan i Shtetit muajin e kaluar mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.
Burime jozyrtare thonë se atij i është refuzuar kohët e fundit edhe një kërkesë e lidhur me kohëqëndrimin në Gjermani, kërkesë e cila nuk u trajtua sipas pritshmërive të tij, nga Ambasada Gjermane në Tiranë – shkruan Dita.
Gjermania është vendi ku z.Llalla udhëton shpesh për shkak të qëndrimit të familjes së tij aty.
Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha për ish- Prokurorin e Përgjithshëm.
Flitet për shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Përfliten gjithashtu transaksione financiare me persona me precedentë penalë të lidhur me krime të rënda.
Adriatik Llalla erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017.
a.ç