Paga mesatare në sektorin shtetëror arriti 61,600 lekë në fund të vitit 2017 me një rritje 11.5% që në raport me vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT.
Kjo është rritja më e madhe e shënuar që nga viti 2007, kur qeveria Berisha aplikoi një rritje agresive të pagave gjatë periudhës 2005-2008, raporton Monitor.
Rritja e pagave për administratën vitin e kaluar u nxit nga zgjedhjet parlamentarë të 2017 ku qeveria në tremujorin e parë miratoi një rritje pagash mbi inflacionin për administratën me një mesatare 7%.
Paga mesatare në shtet është nxitur nga rritja jashtë mesatares për punonjësit e ministrisë së Financave dhe shpenzimet që nxiti reforma në drejtësi.
Ministria e Financave me një vendim të posaçëm aplikoi rritje të pagave me 20 mijë lekë për të gjitha pozicionet që nga specialistët deri tek nivelet me te larta, teksa pjesa e tjetër e administratës ka përfituar rritje shumë më të ulët.
Gjithashtu paga mesatare është nxitur edhe nga rritja e pagave për sektorin e policisë me rreth 25 për qind.
Vitin e kaluar një fond prej 500 milionë lekësh u vu në dispozicion të reformës në drejtësi.
Një vite më parë në vitin 2016, pagat e administratës patën shënuar ulje me mbi 2 % në raport me vitin pararadhës.
Në vitin 2015, rritja reale e pagës ishte zero, për shkak se ndryshimi i pagës me +1.8% ishte i njëjtë me normën e inflacionit.
Në 2014-n rritja e pagës reale ishte vetëm 0.1%.
Pagat u rritën me shpejtësi nga viti 2000 deri në 2009-n, më pas ato u ngadalësuan për shkak se vendi filloi të ndjejë pasojat e krizës globale dhe ekonomia u ngadalësua, por edhe se baza ishte tashmë më e lartë, duke ulur përqindjen e rritjes.
Tre vitet e fundit qeveria zgjodhi të ndjekë politikën e konsolidimit fiskal, duke ngrirë rritjen e pagave në shtet, që rifilloi vetëm nga marsi 2017. Madje 2016-a rezulton viti i parë kur pagat nuk arritën të indeksoheshin as me normën e inflacionit.
a.ç