Qëndra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar datat e aplikimit me formularin A1 dhe AIZ për maturantët. Pas 3 ditësh të gjithë maturantët nga Tirana do të nisin plotësimin e formularit A1 për maturën 2018.
Të fundit që do të aplikojnë do të jenë maturantët e qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës në datën 10 prill. Po kështu në datat 12-17 prill do të plotësohet formulari AIZ për maturantët e viteve të kaluara.
Formulari A1
“Formulari A1 plotësohet online vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2017-2018. Aplikimi online me Formularin A1 bëhet në shkollën ku maturanti vazhdon mësimin. Procesi i plotësimit të Formularit A1 ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”, thotë Qëndra e Shërbimeve Arsimore.
Formulari A1Z
Formulari A1Z plotësohet nga:
a) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018 dhe që kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore.
b) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018 dhe që nuk kanë detyrime të Maturës Shtetërore.
c) Kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës, rezultojnë se kanë ose nuk kanë detyrime të Maturës Shtetërore.
Plotësimi online i Formularit A1Z bëhet në shkollat ku kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSHja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Kandidatët për të plotësuar formularin A1Z duhet të paraqesin tek mbikëqyrësi një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë/vërtetimin, me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi/certifikatën e maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.
a.ç