Ushtaraku amerikan, H. R. McMaster, i zgjedhur vitin e kaluar këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të japë dorëheqje, dhe do të zëvendësohet nga John R. Bolton, ish-ambasador i Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, ka raportuar The Neë York Times të enjten.Zëvendësimi i McMasterit me Boltonin përbën një lajm të keq për Kosovën, pasi që ky i fundit historikisht ka mbajtur qëndrime të forta kundër Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Bolton në të kaluarën ka deklaruar se Kosova do të nxisë ekstremizëm islamik në Evropë, dhe se pavarësia e Kosovës përbën rrezik për stabilitetin e Ballkanit.Gjenerali McMaster do të pensionohet nga ushtria, kanë treguar zyrtarët e administratës Trump.
Sipas tyre, ai tash disa javë ka diskutuar me presidentin Trump për largimin e tij, por ka vendosur ta përshpejtojë atë, pjesërisht për shkak se dyshimet për statusin e tij po minimizonin rëndësinë e tij në bisedimet me zyrtarët e huaj.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po ashtu kanë thënë se Trump dëshiron ta plotësojë ekipin e tij të sigurisë kombëtare para një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Presidenti ka zëvendësuar sekretarin amerikan të Shtetit, Rex W. Tillerson, me drejtorin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Mike Pompeo, javën e kaluar.
Zyrtarët kanë theksuar se largimi i gjeneralit McMaster përbën një vendim dypalësh dhe miqësor dhe nuk do të shoqërohet nga zërat e dëgjuar pas largimit të Tillersronit.
Sipas tyre, largimi i McMasterit nuk është i lidhur me një rrjedhje të materialeve përgatitëse për një thirrje telefonike të Trumpit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në këto materiale, Trump ishte këshilluar që të mos e uronte Putinin për rizgjedhjen e tij në postin e të parit të Rusisë, gjë që Trump e ka bërë gjatë bisedës telefonike me homologun rus.
Bolton, i cili do ta marrë detyrën e re më 9 prill, është takuar rregullisht me Trumpin për të diskutuar për politikën e jashtme, dhe ka qenë në një listë të ngushtë kandidatësh për postin e këshilltarit për siguri kombëtare. Ai ka shkuar të enjten në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar me Trumpin për punën e tij të re, përgatiti ”Express”. (b.an)