Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, fillon sot një vizitë pune në Republikën Federale Gjermane, si pjesë e turit të ministrit në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së.
Gjatë vizitës në Republikën Federale Gjermane, ministri Bushati do të zhvillojë një takim me Ministrin e Shtetit për Evropën, Michael Roth, të cilin do ta njohë me progresin e vendit në fushën e reformave dhe adresimin e prioriteteve kryesore, pritshmëritë tona në lidhje me avancimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, në drejtim të hapjes së negociatave si dhe do të shkëmbejnë mendime rreth situatës në rajon dhe Evropë.
Pjesë e rëndësishme e axhendës së ministrit Bushati, do të jenë një sërë takimesh me parlamentarë gjermanë, përfaqësues të forcave të ndryshme politike në Bundestag, raporterë për Shqipërinë në Bundestag, përfshirë Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme në Bundestag, Norbert Roettgen dhe Kryetarin e Komitetit për Çështjet Evropiane, Gunther Krichbaum. Një vend të veçantë do të zerë seanca dëgjimore në Bundestag, gjatë së cilës ministri Bushati do t’i njohë bashkëbiseduesit me progresin në pesë prioritetet kyçe, si dhe do t’i përgjigjet interesimit të tyre për çështje të caktuara.
MA.ME