Nga Andi Malasi/
Pas arrestimeve të ditëve të fundit në Lezhë, opozita në bllok ka nisur një sulm të ashpër ndaj organeve të zbatimit të ligjit: policisë dhe prokurorisë. Shkak janë bërë dosjet korruptive të tjetërsimit të pronave, në të cilat janë përfshirë zyrtarë lokalë, ndër të cilët akuzohet edhe kryetari i bashkisë së Lezhës.
Në fakt arrestimet e ditëve të fundit kanë prekur jo vetëm kampin opozitar, por edhe përfaqësues të pozitës. Ato shënojnë një tentativë të shtetit për të hequr sadopak petkun e abuzimeve mostruoze që janë kryer me pronat në vitet e fundit, sidomos në vijën bregdetare. Një zinxhir i pafund falsifikimesh, shkeljesh ligjore dhe abuzimesh me vulat e shtetit dhe qeverisjes vendore, që ka krijuar situata skandaloze në pjesën më fitimprurëse të territorit shqiptar.
Në vend që të nxisë drejtësinë që të hedhë dritë mbi akuzat e ngritura, opozita ka stimuluar përkrahësit e saj në terren, që të protestojnë në dyert e komisariateve e gjykatave, në përpjekje për të rritur presionin mbi institucionet. Qëllimi është që të ndodhë ajo që ka ndodhur rregullisht në 27 vjetët e fundit: drejtësia ka hedhur hapin e parë, ka formuluar akuza, ka arrestuar zyrtarë e funksionarë, por gjithçka është venitur në dyert e gjykatave.
Presioni i opozitës synon pikërisht vijimin e kësaj statu quo-je ku janë sakrifikuar rregullisht shpresat e opinionit publik shqiptar për të parë një drejtësi të vendosur, të ashpër konform ligjit dhe të painfluencuar nga politika. Është ky preludi më i keq që mund t’i rezervohet reformës së re në drejtësi, që është edhe shpresa më e madhe e shqiptarëve për t’u ndarë me të shkuarën e zymtë të tranzicionit.
Muajt e fundit kanë treguar se ka një vullnet të shtuar për të prekur dosjet shumëvjeçarë të korrupsionit endemik shqiptar. Është një vullnet për t’u përshëndetur, e jo për t’u qëlluar në gur. Është një lëvizje në sensin e duhur ende e ndrojtur dhe e dobët, por që duhet inkurajuar e jo sabotuar nga politika e Tiranës. Duke mbrojtur zyrtarët e akuzar për korrupsion, Basha dhe Kryemadhi po minojnë de facto imazhin dhe pozitën e partive që drejtojnë në sytë e shqiptarëve. Sepse lufta kundër dorës së fortë të drejtësisë mbi krimin e korrupsionin është në fund të fundit edhe në dëm të votave dhe përkrahjes që këta liderë politikë kërkojnë të sigurojnë. Bëjnë për vete pak dhjetra njerëz që sot janë vënë në shënjestrën e drejtësisë, duke riskuar të humbin mijëra të tjerë që ndjekin në distancë atë që po ndodh. Frika e përjetshme e politikanit shqiptar që kërkon një drejtësi me gojë dhe sy të mbyllur, është sot sjellja më dritëshkurtër e mundshme./Javanews/