Personeli diplomatik në ambasadat shqiptare kudo në botë, punonjësit e misioneve të përhershme pranë organizatave ndërkombëtare, punonjësit e misioneve të posaçme si dhe stafi i Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, po i nënshtrohen verifikimit për lidhje të mundshme me ish-Sigurimin e Shtetit.
Verifikimi masiv është konfirmuar për Shqiptarja.com nga Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, organ përgjegjës për mbledhjen, ruajtjen, përpunimin, administrimin dhe përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Personeli diplomatik dhe administrata e MEPJ po kontrollohen nëse kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shteti, në veprimtari të karakterit politik. Në filtrin e Autoritetit po kalon personeli diplomatik në 50 ambasada dhe misione të përhershme të Shqipërisë në vende të ndryshme të rajonit, Evropës dhe botës, duke nisur që nga ambasadorët. Numri i personave që po verifikohen është rreth 500, duke përfshirë edhe administratën e Ministrisë së Jashtme.
“Në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të Ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, jemi në proces verifikimi të listës emërore të personelit diplomatik, teknik, administrativ dhe të shërbimit në Ministrisë Evropës dhe Punëve të Jashtme (MEPJ), pasi më parë Autoriteti ka shqyrtuar me përparësi kërkesën dhe e ka legjitimuar atë”, konfirmon Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për Shqiptarja.com. Që nga funksioni i tij, Autoriteti për hapjen e dosjeve ka verifikuar për pastërtinë e figurës 821, në të cilët 13 kanë rezultuar si informatorë të ish-Sigurimit të Shtetit apo të spiunuar në ish-Sigurimin e Shtetit.
“Kanë kaluar në filtrin e verifikimit të pastërtisë së figurës rreth 821 (tetëqind e njëzet e një) kandidatë apo zyrtarë, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, apo kandidatë për deputet në zgjedhjet që sapo lamë pas, në kuadër të transparencës së fushatës zgjedhore. Mbi bazën e dokumentacionit të administruar, rezultojnë pozitiv 795 figura të verifikuara (nuk ekzistojnë dokumente të ish-sigurimit të shtetit për ta) dhe negativ 13 figura të verifikuara (figurojnë të ketë materiale në emër të tyre), nga Autoriteti, sipas nenit 29, pika 2, dhe nenit 30 të ligjit 45/2015”, sqaron Autoriteti.
Baza ligjore
Kontrolli i personelit diplomatik, teknik, administrativ dhe të shërbimit në Ministrisë Evropës dhe Punëve të Jashtme, për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, është një proces i diktuar nga ligji. Neni 35 i ligjit nr. 23/2015 për shërbimin e jashtëm, ndalon rekrutimin në shërbimin e jashtëm të personave që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
Deri në funksionimin e plotë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, zbatimi i këtij neni të ligjit për shërbimin e jashtëm, ka qenë i pamundur. Ndryshe nga verifikimi i funksionarëve të tjerë shtetërorë, verifikimi i diplomatëve, në bazë të gjetjeve, do të pasohet me një proces tjetër, me largimin nga detyra të diplomatëve që rezultojnë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
Kategoritë që mund të verifikohen për lidhje me ish-Sigurimin
1. President i Republikës
2. Anëtarë të Këshillit të Ministrave
3. Zëvendësministra
4. Funksionarë politikë
5. Anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore
6. Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
7. Gjyqtarë
8. Prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve
9. Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
10. Funksionarë në Forcat e Armatosura , Shtabin e Përgjithshëm
11. Funksionarë në Gardën e Republikës,
12. Oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”
13. Prefektë
14. Drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror
15. Drejtues dhe punonjës të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes
16. Drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati
17. Drejtues të përfaqësive diplomatike;
18. Guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të BSH
19. Anëtarë të Akademisë së Shkencave
20. Rektorë
21. Zëvendësrektorë
22. Dekanë
23. Zëvendësdekanë në universitetet publike
24. Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar
25. Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare
26. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi/a.m.