Përveç Greqisë dhe Italisë së shpejti do të ketë një marrëveshje edhe me Kanadanë për çështjen e pensioneve.
Këtë gjë e bëri të ditur drejtori i ISSH Astrit Hado në një lidhje direkte për Ora News.
Hado tha se marrëveshja për pensionet me Greqinë dhe Italinë është ekonomike dhe politike.
“Marrëveshja me Italinë dhe Greqinë është edhe ekonomike por edhe politike. Në gjykimin tonë në marrëveshjen me Italinë nuk është çështje ekonomike pasi shumica e shqiptarëve që janë atje me kaq vite sa kanë kaluar janë pjesë e sistemit të pensioneve të Italisë. Bëhet fjalë për një numër të kufizuar shqiptarësh të cilët janë larguar nga Italia dhe nuk përfitojnë nga kjo gjë. Ndërsa me Greqinë përvec çështjet politike është edhe çështja ekonomike për shkak të kostove të larta që ka sistemi i pensioneve greke. Po të kemi parasysh që numri i shqiptareve që janë të siguruar në Greqi është shumë i madh. Tentativa e shtetit shqiptar do vazhdojë jo vetëm me italinë dhe Greqinë, por edhe me shtete të tjera ku banojnë Shqipëtarë. Presim që shumë shpejt të nënshkruhet marrëveshja me Kanadanë sepse edhe aty është një numër i madh shqiptarësh. Jemi në tratative për të filluar një marrëveshje me vendet e tjera të BE sic janë Spanja, Franca apo edhe Amerika dhe Izraeli. Asnjëherë nuk do të ndalojnë përpjekjet për të realizuar marrëveshje ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët”, tha Astrit Hado.
Nder te tjera, ai pohoi se ‘nuk kemi parë ndonjë interes nga pala greke për të filluar procesin e negocimit. E rëndësishme është që të fillojë procesi i negocimit. Ndërsa me Italinë gjërat kanë shkuar më para, janë realizuar dy takime teknike për të parë mundësitë dhe rrugët për të ecur për fillimin e një marrëveshje. Jemi në pritje të një drite jeshile nga autoritet italiane për ta filluar këtë proces negocimi të marrëveshjes”./ora news/a.m.