Kështu nis artikulli i publikuar në “The Independent”, teksa një vajzë shqiptare, rreth 20 vjeç, ka rrëfyer me detaje historinë e saj të trishtë të trafikimit dhe të shfrytëzimit seksual. Ajo ka treguar se është rrëmbyer nga Shqipëria dhe është dërguar në Britani, ndërsa një vit pasi mundi të largohej nga ata që e kishin rrëmbyer, ajo tregon se kërkoi azil në Britaninë e Madhe, por kërkesa i është refuzuar.
“Me një grim minimal dhe duke folur një anglishte pothuajse perfekte, Sara (emër i sajuar për të mbrojtur identitetin e saj të vërtetë), duket e qetë. Por, ndërsa ajo rrëfen të kaluarën, është e qartë që jeta e saj s’ka qenë aspak e stabilizuar.
Ajo nuk kishte në plan të shkonte në Britani. Aspironte të bëhej avokate në vendin e saj. Për shkak të një vargu incidentesh në të cilat iu nënshtrua manipulimit dhe shfrytëzimit nga disa burra, ajo nuk mundi të ndiqte ëndrrën e saj.
Gjithçka filloi kur Sara ishte 13 vjeç dhe mësuesi i saj u përpoq ta përdhunonte. Ajo më pas u bë turpi i familjes. Xhaxhai donte ta vriste, duke e fajësuar se kishte provokuar mësuesin e saj, pavarësisht faktit se ai ishte dy herë më i madh se ajo në moshë. Ajo dhe prindërit e saj duhej të largoheshin nga qyteti i tyre.
Pavarësisht nga përvojat e hidhura, gjatë të cilave ajo tentoi edhe vetëvrasjen, Sara vazhdoi shkollën e lartë dhe nisi një karrierë të begatë duke punuar si ndihmës avokate për kompanitë e mëdha financiare. Por kur babai i saj i tha disa vite më vonë se do të martohej me shkuesi, Sara ndjeu se duhej ta bënte këtë gjë.
“Nuk doja të fejohesha”, thotë Sara. “Gjithmonë mendoja se ishte më mirë të bëja një karrierë dhe të martohesha më vonë. Por, kur babai im e rregulloi këtë fejesë, mendova se duhej ta pranoja, vetëm për t’u treguar që nuk isha më turpi i familjes”.
Pak pas fejesës, i fejuari i tha se duhej të shkonin të jetonin në Itali, duke thënë se do të jetonin më mirë atje. Kjo nuk kishte qenë kurrë në planet e saj, por, përsëri, ajo ndjeu se duhej të binte dakord në mënyrë që të kompesonte turpin që supozohej se kishte sjellë në familje.
Ajo arriti të transferojë punën e saj në zyrat në Itali dhe filloi të përgatiste një jetë të re atje. Por optimizmi nuk zgjati shumë.
“Besoja se po shkoja atje për të pasur një jetë më të mirë, por lumturia në Itali zgjati vetëm dy javë”, tha ajo me sytë përdhe. “Mua më duhej të transferohesha në zyrat italiane në Janar pas Krishtlindjes. Por kjo ndodhi kurrë…”
Kjo për shkak se i fejuari i Sarës e shiti atë për të larë borxhin që i detyrohej një bande kriminale.
“Ai më shiti. Do të doja të kisha vdekur. Ai tha: “Unë do të preferoja jetën tënde, para times”. Tani kur më kujtohet, do doja t’i jepja një grusht në fytyrë. Ai donte të shpëtonte jetën e tij, kështu që shiti timen. U detyrohej atyre para, kështu që më shiti mua për të larë borxhin”.
“Në atë momente nuk mund t’i shihja gjërat qartë. Isha e shokuar. Tani kur e mendoj, nuk e di si nuk e kam vënë re? Jetova me të për dy javë dhe nuk kuptova asgjë”.
Të gjitha shpresat për një jetë normale u shuan për Sarën, kur ajo e gjeti veten të shfrytëzuar. Ajo u shit në një grup kriminal dhe u përdor si skllave seksi.
“Ne u mbyllëm në një shtëpi në Milano nga Nëntori 2014 deri në Korrik 2016”, kujton Sara. “Ishim të kontrolluara nga disa burra. U përpoqa të arratisesha disa herë, por fati nuk ishte në anën time. Ata na kontrollonin gjithë kohën. Isha e mbyllur në një dhomë. Dhe natyrisht nuk merrja asnjë para”, tha ajo.
Sara gjeti arsye për të shpresuar sërish, kur ajo lidhi një miqësi të ngushtë me një vajzë të re që u soll në shtëpinë publike. Ndërsa të dyja flisnin anglisht dhe spanjisht, ata ishin në gjendje të komunikonin në mënyrë që tutorët e tyre të mos i kuptonin. Të dyja kishin planifikuar të shpëtonin.
Por para se ato të gjenin rastin për t’u arratisur, banda kriminale vendosi të largohej nga vendi për të ikur nga policia. Sara dhe shoqja e saj u futën me forcë në një makinë. Ky ishte momenti kur ajo zbuloi se ishte shtatzënë, sepse filloi të kishte shenja aborti.
“Ata na çuan në Francë për t’i shpëtuar policisë. Ne ishim në një makinë dhe ky ishte momenti kur unë abortova. Kisha shumë gjakderdhje”, tha ajo.
“Shoqja ime filloi të zihej me burrat sepse u kërkoi të më ndihmonin. Ata e goditën sepse ajo u përpoq që t’i bënte ata të më dërgonin në spital. Nuk donin të më dërgonin, sepse mendonin se unë do të arratisesha”.
“Më në fund sollën një mami. Nuk e di kush ishte ajo. Por ata sollën një zonjë e cila më dha ilaçe kundër dhimbjeve”.
Vajzat e përdorën këtë si një mundësi. Ato i treguan infermieres situatën e tyre. Ajo donte t’i ndihmonte. Ndërsa shkoi të fliste me burrat për t’u treguar atyre se çfarë ilaçesh duheshin, vajzat arritën të hapnin derën dhe të shpëtonin.
“Nuk kam asnjë ide se çfarë ka ndodhur pas kësaj. Kisha ende gjakderdhje. Kaluam lumin dhe arritëm në Calais në Francë. Qëndruam atje për rreth dy ditë”, thotë Sara.
“Duke shkuar për atje takuam një djalë. Ai pa që kisha gjakderdhje kudo dhe shoqen time që ishte e nxirë. I dhamë atij 300 paund dhe na ndihmoi të shkonim te një kamion”.
“U fshehëm në të dhe po shkonim drejt Londrës. Ishte shumë e frikshme. Gjëja e parë që ata thanë ishte që ne s’duhej të bënim zhurmën më të vogël. Ishte shumë e rrezikshme”.
Pas një udhëtimi të rrezikshëm në automjet, vajzat u hodhën në rrugët e Dagenhamit. Ato u kapën nga policia dhe u dërguan në një shtëpi të sigurt, ku u strehuan si viktima të skllavërisë.
Sara mbërriti në Britani të Madhe në Korrik 2016. Një vit më vonë, ajo mori një vendim pozitiv nga Mekanizmi Kombëtar i Referimit, sepse sipas verifikime të bëra, ajo rezultonte se ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore.
Por kërkesa e saj për azil është refuzuar nga Zyra Qendrore, e cila pretendonte se ajo mund të kthehej në shtëpi te prindërit dhe se vendi i saj ofron strehim për gratë e trafikuara.
Sara, e cila tashmë po përpiqet të apelojë vendimin e Zyrës Qendrore, thotë se ideja e kthimit në Shqipëri e tmerron, duke shpjeguar se ajo nuk është më në kontakt me familjen e saj dhe ka frikë se ata do të ishin në rrezik nëse ajo kthehej.
“Nuk kam folur me familjen time që kur kam lënë Shqipërinë. Kam frikë se i fejuari im ka zbuluar se unë jam arratisur dhe do të më ndëshkojë mua dhe familjen time nëse kthehem”.
“Kam kaluar shumë gjëra. Për 13 vjet të jetës sime unë jam fshehur nga të gjithë, duke u përpjekur të mos shihem. Jam shumë e lodhur. Kthimi në shtëpi do të jetë kthim në të njëjtën pikë dhe unë jam e frikësuar të kaloj sërish të njëjtat gjëra”.
Ajo shton se Shqipëria nuk u ofron grave mbrojtjen e duhur kundër abuzimit, duke thënë se edhe pasi u abuzua nga mësuesi i saj kur ishte fëmijë, nuk kishte gjetur mbështetje.
“Në Shqipëri nuk ofrojnë mbrojtje. Ata kanë disa organizata bamirësie kundër trafikimit dhe abuzimeve brenda familjes, por vetëm të mbajnë dy ose tri ditë atje, nëse ke shenja në trup dhe fytyrë”, shpjegon ajo.
“Ata nuk japin mbështetje emocionale ose diçka të këtij lloji. Pas incidentit me mësuesin tim unë kam përjetuar tmerre. U përpoqa të vras veten dy herë. Ata nuk më ofruan mbrojtjen që kam këtu”.
“Ende kam makthe që vijnë si pasojë e së kaluarës sime. Ndonjëherë kam ndjesinë se dikush është brenda shtëpisë. Unë përpiqem të shmang gjërat që më bëjnë të mendoj për atë që kam kaluar. Por shpesh kam makthe sikur dikush po më ndjek”.
“Nuk fle deri në orën 5 ose 6 të mëngjesit, çdo natë është njësoj, sepse kam frikë se çfarë do të ndodhë gjatë natës”.
Tani Sara po mbështetet nga një organizatë e vogël bamirëse, e cila kërkoi të mbetet anonime për të mos bërë të mundur identifikimin e saj. Ajo ofron ndihmë dhe këshilla për viktimat e skllavërisë moderne dhe trafikimit. 40 përqind e njerëzve që ata mbështesin janë shqiptarë dhe shumica e tyre janë femra të shfrytëzuar si skllave seksuale.
Viktimat e referuara janë në shumicën e rasteve nga Shqipëria. Vetëm vitin e kaluar, 567 shqiptare të rritura kanë rënë viktima të skllavërisë moderne, nga të cilat 80 përqind, gjithsej 455 raste, lidhen me shfrytëzimin seksual.
Trafikimi i qenieve njerëzore nisi në Shqipëri pas rënies së komunizmit në vitin 1990 dhe vendi atëherë është bërë i njohur për rrëmbimin, trafikimin dhe shitjen e njerëzve.
Teksa drejtori ekzekutiv i organizatës të bamirësisë u shpreh për “The Indipendent” se pavarësisht numrit të lartë të femrave shqiptare të njohura si viktima të trafikimit, shumë pak prej tyre iu është dhënë e drejta për të qëndruar në Britani, duke ndikuar negativisht në shëndetin e tyre mendor.
“Zgjatja e periudhës së pasigurisë dhe mungesa e të mos diturit sesi do të jetë e ardhmja, do të thotë që shëndeti i tyre mendor vazhdon të përkeqësohet”, u shpreh në punonjës i organizatës”, përfundon artikulli.
ma.me