Zbulohet skema e abuzimit me tokat të “Ranës së Hedhun” që çuan në pranga 13 zyrtarë të lartë, të mesëm dhe të ulët.
Gjithçka ka nisur nga denoncimi i 7 qytetarëve që trokitën në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që në verën e shkuar.
Denoncuesit kanë paraqitur në prokurori që në qershor tapitë e tyre të marra me ligjin 7501 dhe që u janë njohur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Sipas dëshmisë së tyre, atyre Hipoteka nuk ua ka njohur letrat dhe i ka zvarritur. Lekë Frroku, njihej si krahu i djathtë i Fran Frrokajt, dhe është një nga përfituesit kryesorë të grabitjes së tokave, shkruan Tesheshi.
Momentalisht Frroku ende nuk është arrestuar nga policia, dhe sipas hetimeve ai është sekseri kryesor i cili gjente qytetarët në rrethinat e Lezhës, duke jua kërkuar kartën e identitetit.
Pas marjes së kartës, në emër të këtij qytetari arrinte të merte një certifikatë pronash të falsifikuar. Dhe më pas ndiqte të gjithë praktikën në Bashkinë e Lezhës dhe zyrat e Qarkut, praktikë kjo që është firmosur nga kryebashkiaku i qytetit dhe kryetari i këshillit të qarkut Lezhë.
Më pas kjo praktikë shkonte në zyrën e Hipotekës së qytetit ku dhe merte firmën përfundimtare. Prona në bregdet regjistrohej në emër të qytetarit. Për këtë shërbim dyshohet se qytetari paguhej nga Lek Frroku. Shuma ishte diku tek 1 milion lekë të vjetra.
Loja vazhdonte me qytetarin që shkonte përpara një noteri duke firmosur një kontratë dhurimi ose kontratë shitje të tokës. Kështu, prona rregjistrohej në një emër tjetër në zyrën e Hipotekës së Lezhës.
Nga verifikimet e kryera është zbuluar se vetëm një familje e vetme ka përfituar 140 mijë metra katror. Në total tre familje kanë përfituar një sipërfaqe tokësore tek “Rana e Hedhun” prej 298 mijë metra katror./a.m.