Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vllahutin, ka zhvleftësuar deklaratat e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri e Kosovë për një kufi pa dogana mes dy vendeve, shkruan Koha Ditore.
Ambasadorja Vllahutin e ka bërë të qartë të premten, nga pika e kalimit kufitar të Morinit, në kufirin Shqipëri-Kosovë, ku ishte për inspektimin e ecurisë së punimeve për doganën e përbashkët, se Shqipëria e Kosova do të jenë pa dogana vetëm kur të jenë anëtare të BE-së.
Pyetjes së “Kohës Ditore” se si do t’i komentonte deklaratat e zyrtarëve të lartë në Shqipëri e Kosovë, përfshirë edhe ato të kryeministrit Edi Rama, për një kufi Kosovë-Shqipëri pa dogana, Vllahutin u përgjigj: “Në momentin që të dyja vendet do të jenë anëtare të BE-së nuk do të ketë dogana mes këtyre dy vendeve, ashtu siç nuk do të ketë dogana mes këtyre vendeve dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së.
E rëndësishme është që ne të lehtësojmë të gjithë trafikun që do të qarkullojë në këtë pikë të kalimit kufitar”. (b.an)