Që Jozefina Topalli s’ka simpati për pasardhësin e saj në krye të Kuvendit, kjo dihet. Ilir Meta nuk ka arritur të “zbusë” deputeten e Shkodrës, as duke i dhënë asaj një zyrë të posaçme në selinë e Kuvendit të Shqipërisë. Sot Jozefina Topalli e sulmoi sërish Ilir Metën, duke i kujtuar video-përgjimin, blerjen e votave dhe mëkate të tjera, që sipas saj kreu i LSI i ka konsumuar e vazhdon t’i konsumojë.
Që zonja Topalli është një politikane dhe një grua e fortë, këtë ajo ka njëzet vjet që mundohet ta formojë si imazh të sajin. Një lloj Shote moderne, një përfaqësuese e Veriut në kuptimin më të fortë të termit. Veçse përtej këtij imazhi prej luftëtareje 9 dhe Jozefina është vërtet e tillë), qëndrojnë dobësitë e politikanit tipik shqiptar, që bën sikur harron, që bën sikur nuk sheh, sikur nuk dëgjon.
Në vjeshtën e vitit 2010, kur shpërtheu zhurma e video-përgjimit Meta-Prifti, ndër shumë përfaqësues të shumicës së djathtë që bënin sikur dëgjonin dhe sikur nuk shihnin, ishte dhe Jozefina Topalli. Ajo u bashkua asokohe me versionin të adoptuar nga qeveria, se video-përgjimi qe një sajesë e Edi Ramës dhe se vendimi i gjykatës për këtë ngjarje mbylli gjithçka.
Sot, rreth pesë vjet pas asaj ngjarjeje, e cila provokoi më vonë indirekt edhe ditën tragjike të 21 janarit, Jozefina Topalli po e përdor si armë kundër ish-aleatit Meta, atë episod që dikur e shpërfillte. Kujtesa e shkurtër nuk është gjithnjë këshilltare e mirë. Apo jo zonja ish-kryetare?!