Vendimi i Kryeministes Britanike, Theresa May, për të ngrirë marrëdhëniet e nivelit të lartë me Rusinë, si dhe largimin e 23 diplomatëve rusë nga Mbretëria e Bashkuar, ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministrja May u ka dhënë një javë kohë diplomatëve rus për tu larguar nga mbretëria e Bashkuar, ndërkohë ka paralajmëruar kontrolle shtesë për çdo shtetas rus i cili do të hyjë në Angli.
Masa ndaj Rusisë të bërë të ditura nga kryeministrja May erdhën pasi kjo e Moska dështoi t’i jepte informacione Britanisë së Madhe për tentativën e vrasjes së ish- spiunit rus, Sergei Skripal, duke bërë që Anglia ta shpallte formalisht fajtore.
Vetëm 24 orë pas bërjes publike të masave ndaj Rusisë nga May, kryediplomati rus Sergei Lavrov, ka deklaruar për mediat vendase se shumë shpejt Kremlini do të largonte diplomatët e Mbretërisë së Bashkuar si një kundërpërgjigje ndaj Londrës. Ai gjithashtu i ka mohuar akuzat e Anglisë, duke i cilësuar ato si të “çmendura”.
Ndërkohë nga përtej oqeanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetjen ndaj Anglisë, ku nëpërmjet një deklarate një zëdhënëse e Presidentit Trump ka akuzuar Rusinë se është duke kërcënuar sigurinë e shumë shteteve.
Gjithashtu në deklaratë thuhej se SHBA- të donin të siguroheshin se akte të tilla nuk do të ndodhin më. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë kundrejt Rusisë, ishte suprizuese, pasi që prej inagurimit të presidentit Trump, vendet janë përpjekur të zbusin tonet mes tyre.
Ish- spiuni Sergei Skripal 66 vjeç dhe vajza e tij Julia Skripal 33-vjeçare, vazhdojnë të jenë të gjendje kritike për jetën pas sulmit. Kryeministrja May ka deklaruar se kimikati i përdorur në sulmin ndaj tyre ishte një agjent nervor, i zhvilluar nga Rusia dhe i njohur si Noviçok.
ma.me