Shtetasi izraelit, që u ndalua të dielën në Aeroportin e Rinasit pasi iu gjetën të fshehura 250 mijë euro të padeklaruara, do të hetohet edhe për pastrim parash.
Pavarësisht se ai deklaroi se kishte ardhur nga Moska në Tiranë për biznes, pasi do të hapte një klinikë dentare dhe këtu e prisnin dy persona, Policia ende nuk ka arritur t’i gjejë personat që e prisnin. Deri tani emrat që ai ka dhënë nuk rezultojnë korrektë e për këtë arsye Policia ka kontrolluar celularin e tij.
Shtetasit të huaj iu gjetën 250 mijë euro të padeklaruara, gjatë një kontrolli nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën e Rinasit. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se shërbimet e Policisë Kufitare ushtruan kontroll fizik ndaj shtetasit izraelit Efim Reichman, 49 vjeç, në hyrje, dhe në këtë formë u arrit të zbulohen paratë e fshehura.
Reichman kishte udhëtuar nga Moska në drejtim të Tiranës dhe në momentin që është marrë në pyetje nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Doganave nëse kishte apo jo të holla për të deklaruar, ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë.
Por, pas kontrollit fizik i janë zbuluar paratë dhe ai është shprehur se nuk e dinte që duhej të deklaroheshin, megjithëse limiti i parave që mund të mbahen cash pa u deklaruar, nuk duhet të kalojë 10 mijë eurot.
DESHMIA
Policia e Shtetit tha dje se ka nisur procedim penal në gjendje të lirë dhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për shtetasin izraelit Efim Reichman, 49 vjeç. Ai akuzohet për “Mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”.
Ndërsa tashmë po hetohet edhe për pastrim parash. Burimet thanë se 49-vjeçari me banim në Izrael kishte udhëtuar nga Moska dhe është ndaluar pas kontrollit fizik në aeroportin “Nënë Tereza”.
Ai është shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Rinasit, ku është marrë në pyetje për origjinën e parave dhe arsyen pse nuk i kishte deklaruar më parë 250 mijë eurot. Mësohet se shtetasi i huaj ka thënë se paratë i kishte për të bërë biznes në Shqipëri dhe nuk e dinte se duhej t’i deklaronte.
I pyetur se për çfarë biznesi bëhej fjalë, ai ka thënë se do të hapte një klinikë dentare në Tiranë. Megjithatë, deri në përfundim të hetimeve paratë do mbahen të sekuestruara./Panorama/a.m.